LIVE: Zbulohet plani shkatërrues i Putinit, Zelensky jep detaje nga përgjimet: Pas Ukrainës radhën e ka ky shtet!

Bota

LIVE: Zbulohet plani shkatërrues i Putinit, Zelensky jep detaje nga përgjimet: Pas Ukrainës radhën e ka ky shtet!

Nga: Bota sot Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 06:48 Përditësuar në ora: 18:36 më 09.02.2023
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin

Zelensky zbulon planin sekret të Putinit: Ja çka zbuluam nga përgjimet e shërbimeve të inteligjencës!

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka deklaruar sot e vendi i tij, në përgjimet e kryera ndaj Moskës, ka zbuluar planet ruse për të shkatërruar Moldavinë.

Zelensky ka zbuluar një fakt të tillë në fjalën përpara udhëheqësve të Bashkimit Evropian në Bruksel.

“E kam informuar presidentin moldav Maia Sandu se kemi përgjuar planin e shkatërrimit të Moldavisë nga inteligjenca ruse”, ka deklaruar ajo.

Zelensky tha se plani ishte shumë i ngjashëm me atë të hartuar nga Rusia për të marrë kontrollin e Ukrainës, madje ka rrëfyer se dokumentet tregonin kur do të ndodhte zbatimi i planit, kush do ta zbatonte dhe mënyra se si plani do të funksiononte.

Ai shtoi se mënyra se si do të vendosej kontrolli rus mbi Moldavinë, do të ishte thyerja e demokracisë në vend.

Megjithatë Zelensky u shpreh se nuk arritën të mësonin nëse Putin e dha urdhrin për zbatimin e planit.

Putin nervozohet me zyrtarin e tij pasi lavdëroi vendet e tjera gjatë konferencës

Presidenti rus Vladimir Putin u vu re teksa u nervozua me një zyrtar të tijin, pasi ky i fundit në fjalën e tij lavdëroi vendet e tjera duke i cilësuar si “më të mirat në botë”.

Robert Urazov, kreu i Agjencisë për Iniciativa Strategjike, u përball me zemërimin e menjëhershëm të Putinit në një mbledhje të qeverisë e cila po zhvillohej online.

“Të kushtova vëmendje kur the “në vendet e tjera, më të mirat në botë…”, tha një Putin me një shprehi të zymtë, teksa vijoi: Shteti më i mirë në botë është Rusia. Shpresoj se thjesht ke bërë një gabim…?

46-vjeçari buzëqeshi me vështirësi pas tërheqjes së vëmendjes nga Putin, me këtë të fundit që ua përmend në çdo rast gabimet e ngjashme zyrtarëve të tij të cilët shpesh herë mund të përfundojnë të shkarkuar nga postet ose të zbresin në detyrë.

Zelensky: Disa udhëheqës të BE-së të gatshëm t’i japin avionë Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se disa udhëheqës të bllokut evropian kanë shprehur gatishmërinë që t’i japin Ukrainës avionë luftarakë. Ai u takua sot në Bruksel me udhëheqësit e BE-së, në përfundim të një turneu në disa kryeqytete evropiane. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen tha se masat e reja kundër Rusisë, që pritet të miratohen së shpejti, përfshijnë kufizime shtesë ndaj udhëheqësve politikë dhe ushtarakë rusë si dhe do shënjestrojnë propagandistët e presidentit Putin. 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u prit me duartrokitje të enjten nga udhëheqësit evropianë gjatë një takimi të BE-së në Bruksel. 

Ai është në fund të një turneu tek mbështetësit e tij të mëdhenj evropianë, duke kërkuar garanci se Ukraina një ditë mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. 

Presidenti Zelenskiy pritet të kthehet në Kiev me optimizëm dhe zotime për më shumë ndihmë ushtarake. Gjatë takimit të Këshillit Evropian, zoti Zelenskiy tha se Evropa nuk mund të jetë e lirë pa një Ukrainë të lirë. 

Pas takimit, ai tha se disa udhëheqës të BE-së kanë treguar gatishmëri t’ia plotësojnë kërkesën e fundit për ndihmë ushtarake Kievit. 

“Jam i frymëzuar nga deklaratat tuaja se do jeni me ne ...e kam dëgjuar këtë nga udhëheqës të tjerë evropianë. Jam i lumtur që jeni zotuar për më shumë armatime, përfshirë aeroplanë luftarakë”, tha presidenti ukrainas gjatë konferencës së përbashkët me presidentët e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. 

Zonja Von Der Leyen paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim do bëhet propozimi i pakos së dhjetë të sanksioneve kundër Rusisë. 

“Rusia duhet të paguajë për shkatërrimin e shkaktuar dhe gjakun e derdhur. Gjatë ditëve në vijim do vendosim sanksione ndaj disa udhëheqësve politikë dhe ushtarakë, por gjithashtu i nderuari Volodymyr, kemi dëgjuar me kujdes mesazhet tuaja në Kiev pasi ne do shënjestrojmë propagandistët e Putinit, pasi gënjeshtrat e tyre janë duke helmuar hapësirën publike në Rusi dhe gjetkë”, tha zonja von der Leyen. 

Mbrëmë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u takua në Pallatin Elysee në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz. 

“Që nga fillimi i kësaj lufte të tmerrshme, Evropa dhe miqtë tanë transatlantikë jo vetëm që kanë qëndruar afër Ukrainës, ne gjithashtu i kemi ofruar mbështetje masive Ukrainës. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Presidenti Macron dhe unë do ta sigurojmë Presidentin Zelenskyy për këtë sërish në Paris”, tha kancelari gjerman, Sholz pas takimit. 

Vizita shënon një kthesë në marrëdhëniet me Francën dhe Gjermaninë, dy vende për të cilat banorët në Ukrainë ishin ankuar se nuk po bënin sa duhet për të ndihmuar. 

Përpjekjet e zotit Zelenskyy për më shumë ndihmë ushtarake perëndimore po bëhen ndërsa po shtohen provat se ofensiva e parashikuar e Rusisë rreth përvjetorit të agresionit po fillon të marrë formë. 

Të mërkurën, pas takimeve në Londër, presidenti ukrainas ka marrë zotimin e Britanisë për të trajnuar pilotët ukrainas për avionët luftarakë të avancuar të NATO-s./VOA

Medvedev: Rusia duhet të rrisë prodhimin e tankeve

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha gjatë një vizite që pati në një fabrikë tankesh se Moska do të rrisë prodhimin e tankeve - si përgjigje ndaj furnizimit të Ukrainës me armë nga shtetet perëndimore.

"Siç e dimë, kundërshtari ynë [Ukraina] ka lutur vendet perëndimore për aeroplanë, raketa, tanke. Si duhet të përgjigjemi? Është e qartë se në këtë rast, është e natyrshme, të rrisim prodhimin e armatimeve të ndryshme, duke përfshirë tanke moderne”, tha ai.

Më 25 janar, qeveria gjermane iu përgjigj thirrjeve të përsëritura të Kievit dhe miratoi dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, si dhe rieksportin e tyre nga vendet partnere.

Në të njëjtën ditë, presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi se SHBA-ja do t’i dërgojë 31 tanke luftarake M1 Abrams në Ukrainë.

Tanku Leopard 2 konsiderohet si një nga më të mirët në vendet perëndimore dhe rreth 20 vende aktualisht përdorin këtë tank.

Ukraina ka kërkuar 300 tanke të tilla dhe thotë se Perëndimi deri më tani ka premtuar se do t'ia dërgojë të paktën 120.

Rusia – që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022 – ka më shumë tanke sesa Ukraina, por modelet që Moska ka janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore.

Ukraina ka bërë thirrje për armatim edhe më të avancuar, duke përfshirë avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë./REL

Kryeministrja italiane: Ftesa e Zelensky në Paris ishte ‘e papërshtatshme’

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni tha se ftesa e Zelenskyy në Paris, ku ai takoi homologun e tij francez dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, ishte "e papërshtatshme", përcjell Bota sot.

"Unë besoj se forca jonë është komuniteti dhe uniteti... por ka raste kur favorizimi i opinionit të brendshëm publik rrezikon të jetë në dëm të kauzës dhe ky më duket se është një nga ato raste," tha ajo në Bruksel.

Pas vizitës së tij në Londër dhe Paris, Zelenskyy mbërriti në Bruksel të enjten për të nxitur liderët e BE-së për më shumë armë në luftën kundër pushtimit të Rusisë dhe për një fillim të shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Ministri i Jashtëm i Italisë tha se Meloni do të takohet me Zelenskyy në margjinat e takimit të liderit të BE-së, i cili do të përfundojë të premten.

Kremlini thotë se ukrainasit do të vuajnë nëse Perëndimi dërgon avionë luftarakë

Ukrainasit do të vuajnë nëse Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e tjera perëndimore vendosin të dërgojnë avionë luftarakë në Ukrainë, ka thënë Kremlini, prëcjell Bota sot.

I pyetur nga Sky News për të komentuar një kërkesë të bërë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjatë një vizite në Londër dje, zëdhënësi Dmitry Peskov tha se veprime të tilla "çojnë në një përshkallëzim të tensionit rreth këtij konflikti, zvarritje të këtij konflikti dhe e bëjnë këtë konflikt më të dhimbshëm dhe torturuese për Ukrainën”.

Ai shtoi: “Në thelb, veprimet e këtyre vendeve nuk do të ndryshojnë rezultatin e këtij konflikti dhe nuk do të ndryshojnë trajektoren përgjatë së cilës po ecën vendi ynë në drejtim të arritjes së qëllimeve të tij të përcaktuara në kuadër të një operacioni special ushtarak”.

Zelensky mbërrin në Parlamentin Evropian

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Parlamentin Evropian në Bruksel përpara një samiti të BE-së të enjten.

Ai u përshëndet nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Zelensky pritet t'i drejtohet Parlamentit të BE-së më vonë, si pjesë e një fushate për të bindur Perëndimin të dërgojë më shumë armë dhe mbështetje ushtarake për të kundërshtuar një ofensivë të pritshme pranverore ruse, shkruan CNN.

​Rusia sanksionon 77 zyrtarë amerikanë

Rusia ka sanksionuar dhjetëra politikanë dhe zyrtarë amerikanë të mërkurën, në atë që tha se ishte një veprim hakmarrës për mbështetjen e Uashingtonit për Kievin, dhe një përgjigje ndaj sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.

Ministria e Jashtme ruse tha se ua ka ndaluar përgjithmonë hyrjen në Rusi 77 shtetasve amerikanë.

Lista përbëhet nga 33 guvernatorët e shteteve të SHBA-së dhe një mori zyrtarësh të tjerë shtetërorë dhe federalë të rangut të mesëm.

Sanksionet e SHBA-së, BE-së dhe vendeve të tjera kundër Rusisë kanë shkuar vazhdimisht duke u rritur. Sot janë në fuqi një varg sosh - nga ndalimi i mallrave dhe shërbimeve ruse deri te bllokimi i transaksioneve të saj financiare. Dhjetëra kompani ndërkombëtare po ashtu kanë pezulluar tregtinë në Rusi, ose janë tërhequr fare. Nga disa media në SHBA, sanksionet janë cilësuar si më të rëndat dhe më të koordinuarat ndonjëherë nga Perëndimi.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.

​Sunak: Asetet e ngrira ruse do të përdoren për të rindërtuar Ukrainën

Britania e Madhe po shqyrton mundësinë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta, tha kryeministri britanik, Rishi Sunak gjatë vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në vend.

“Një fondacion i pavarur po krijohet për të mbledhur asetet e sanksionuara ruse”, u tha kryeministri ligjvënësve.

“Britania e Madhe po punon me vendet aleate për të parë nëse mund të legalizojë përdorimin e këtyre aseteve për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës”, tha ai.

Sunak e mirëpriti Zelensky dje në Londër, në kuadër të vizitës së tij të parë që kur Rusia pushtoi Ukrainën pothuajse një vit më parë.

Sunak tha se Britania e Madhe është donatorja e tretë më e madhe humanitare dhe ekonomike në Ukrainë, ndërsa vuri në dukje sanksionet e saj ndaj Rusisë.

“Ne po krijojmë një fondacion të pavarur për të menaxhuar dhe shpërndarë fondet duke përdorur asetet ruse”, tha Sunak. 

Grupi mercenar rus Wagner ngalon rekurutimin e të burgosurve për të luftuar në Ukrainë,

Grupi mercenar rus Wagner ka ndaluar rekrutimin e të burgosurve për të luftuar në Ukrainë, thuhet se ka thënë themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin.

Në një përgjigje ndaj një kërkese për koment të publikuar në mediat sociale, Reuters citon Prigozhin të ketë thënë të enjten:

Rekrutimi i të burgosurve nga kompania private ushtarake Wagner është ndalur plotësisht.

Ne po i përmbushim të gjitha detyrimet tona ndaj atyre që punojnë për ne tani”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat