Një familje nga New Yorku që vizitonte të afërmit në Turqi, ishte në mesin e mijëra njerëzve të vrarë në tërmetin me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën.
Burak Firik, një ish-anëtar bordi i Kapitullit të Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike të New Yorkut (CAIR-NY), u vra së bashku me gruan e tij Kimberly dhe djemtë e tyre Hamza, 2 vjeç dhe Bilal, 1, Drejtori Ligjor i CAIR-NY, Ahmed M. Mohamed tha për CNN.
Familja ishte në një pallat të vendosur në rajonin Kahramanmaraş të Turqisë – epiqendra e tërmetit vdekjeprurës të së hënës, sipas Mohamed. Ndërtesa e banesës u shemb gjatë tërmetit.
Mohamed tha se ai e njihte Firikun që nga viti 2019 dhe për herë të fundit foli me të disa muaj më parë para se të shkonte në Turqi për të qenë me babain e tij, i cili po bënte një operacion në zemër.
”Ai ishte një individ shumë aktiv në komunitetin e tij, një shtyllë për familjen e tij, shtyllë për komunitetin mysliman, komunitetin turko-amerikan dhe me të vërtetë, ai ishte një udhëheqës shërbëtor që e vuri në veprim besimin e tij”, tha Mohamed.
Mohamed tutje u shpreh se Firik ishte i interesuar për kompjuterët dhe teknologjinë, studionte tregjet dhe i pëlqente të lexonte – ai e kishte vendosur si synim të lexonte një libër çdo ditë.
Mohamed shtoi se Firik “ishte një burrë familjar” që e donte familjen e tij.