Ushtarët ukrainas duke u mbrojtur nga bombardimet e forcave ruse në vijën e frontit pranë qytetit Bakhmut (13 shkurt 2023)
Qyteti Bakhmut, në lindje të Ukrainës, pësoi të hënën sulme të rënda me artileri. Ushtria ukrainase njoftoi se pati sulme me artileri dhe tanke ndaj 16 vendbanimeve në këtë zonë.
Luftëtarët ukrainas, të cilët kanë mbajtur pozicionet e atjeshme prej muajsh, po përgatiten tashmë për sulme të reja tokësore, thanë zyrtarët ushtarakë ukrainas.
Qyteti Bakhmut është një objektiv parësor për Presidentin rus Vladimir Putin. Kapja e këtij qyteti do t’i jepte Rusisë një tjetër pjesë të rajonit Donetsk dhe një fitore të rrallë pas disa muajsh në disavantazh.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se përdorimi nga Ukraina i municioneve në luftën kundër Rusisë, po tejkalon ritmin e furnizimeve dhe se aleanca duhet të rrisë prodhimin për të plotësuar nevojat e Ukrainës.
Zoti Stoltenberg gjithashtu tha se një ofensivë e re madhore e Rusisë në Ukrainën lindore tashmë ka filluar, ndërkohë që po afrohet përvjetori i parë i fillimit të sulmit të forcave ruse.
“Është e qartë se jemi në një garë logjistike”, u tha zoti Stoltenberg gazetarëve në Bruksel. “Kapacitete kryesore si municioni, karburanti dhe pjesët e këmbimit duhet të arrijnë në Ukrainë përpara se Rusia të ketë marrë iniciativën në fushëbetejë. Shpejtësia do të shpëtojë jetë”, theksoi ai.
Zoti Stoltenberg i bëri komentet një ditë përpara takimit të nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që pritet të mbahet në kryeqytetin belg.
Thirrjet e NATO-s për rritjen e prodhimit të municioneve pritet të dominojnë bisedimet. Zoti Stoltenberg tha se do të diskutohet edhe çështja e debatueshme e ofrimit të avionëve modernë luftarakë për Ukrainën.
Lexo lajmin e plotë KËTU.