Kaloi gjashtë muaj në robërinë ruse, ndërron jetë luftëtari i Regjimentit Azov dhe mbrojtësi i Mariupolit, Oleh Mudrak

Bota

Kaloi gjashtë muaj në robërinë ruse, ndërron jetë luftëtari i Regjimentit Azov dhe mbrojtësi i Mariupolit, Oleh Mudrak

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 13:53
Oleh Mudrak

Oleh Mudrak, komandanti i Batalionit të Parë të Regjimentit Azov, i cili ishte kthyer nga robëria ruse në shtator të vitit 2022, ka ndërruar jetë.

Oleh Mudrak kishte kaluar gjashtë muaj në robërinë ruse dhe i mbijetoi sulmit terrorist rus në kampin e të burgosurve të luftës Olenivka, shkruajnë mediat e huaja.

Ai ishte komandant i Batalionit të Parë të Regjimentit Azov.

Mudrak mbrojti Mariupolin dhe fabrikën e çelikut Azovstal pasi filloi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.

Oleh Mudrak u kap rob lufte nga Rusia pasi forcat ukrainase ishin larguar nga Azovstal. Në shtator, ai u kthye në Ukrainë si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve.

Lidhur me vdekjen e tij, një postim e ka bërë edhe këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko.

“Oleh Mudrak, komandanti i Batalionit 1 të Azov, mbrojti Azovstal. Pastaj ai kaloi 6 muaj robëri ruse. Sot zemra e tij pushoi së rrahuri. Nipi i tij shkroi: ‘Oleh ndriçoi zemrat e të gjithëve rreth tij’. RIP, Hero…”, ka shkruar Gerashchenko, duke publikuar edhe dy fotografi të cilat sipas tij tregojnë Mudra, para dhe në robërinë ruse. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat