VOA/ Finlanda do të dërgojë tanke Leopard në Ukrainë

Bota

VOA/ Finlanda do të dërgojë tanke Leopard në Ukrainë

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 16:10
Tanku Leopard

Finlanda njoftoi të enjten një paketë ndihme prej 169 milionë dollarësh për Ukrainën që përfshin tre tanke ‘Leopard 2’. 

Ministria e Mbrojtjes e Finlandës njoftoi se paketa përfshin edhe programe instruktimi për përdorimin dhe mirëmbajtjen e tyre. 

Vendimi vjen një ditë pasi Spanja njoftoi se do të dërgonte gjashtë tanke ‘Leopard 2A4’. 

Tanket e prodhimit gjerman janë pjesë e një vale tankesh që po dërgohen në Ukrainë mes thirrjeve të zyrtarëve për më shumë armatime. 

Gjermania fillimisht i rezistoi thirrjeve për të dërguar vetë tanke të këtij lloji, si dhe bllokoi vendet e tjera që kishin tanke të prodhimit gjerman, ta bënin një gjë të tillë, mes shqetësimeve për përshkallëzimin e konfliktit. Por tashmë ka ndryshuar qëndrim duke u thënë aleatëve që se janë të lirë ta bëjnë një gjë të tillë. 

Gjermania, Danimarka, Holanda do të dërgojnë tanke të vjetra e të riparuara në Ukrainë. 

Të enjten ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se ekziston një mundësi reale që forcat ruse po përgatiten të nisin një ofensivë të re në zonën e Vuhledarit, në provincën Donetsk, “pavarësisht sulmeve të dështuara e që i kanë kushtuar shumë Moskës, të ndërmarra në fillim të shkurtit dhe në fund të vitit të kaluar”. 

Ministria britanike e Mbrojtjes tha se komandanti i grupit të forcave ruse përgjegjës për operacionin e mundshëm "ka të ngjarë të jetë nën trysni të fortë për të përmirësuar rezultatet e Moskës në luftë, pas kritikave të ashpra nga grupet nacionaliste ruse, lidhur me dështimet e mëparshme"./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat