SHBA nuk pret dialog të nivelit të lartë me Rusinë në një të ardhme të afërt

Bota

SHBA nuk pret dialog të nivelit të lartë me Rusinë në një të ardhme të afërt

Më: 3 mars 2023 Në ora: 00:34
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha gjatë një konference për shtyp të enjten se Shtetet e Bashkuara nuk presin dialog zyrtar të nivelit të lartë me Rusinë në një të ardhme të afërt, pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov biseduan shkurtimisht gjatë një takimi të diplomatëve të G20-ës në Indi.

"Nuk kishte asnjë marrëveshje apo konsensus nga ai takim i shkurtër për ndonjë lloj diskutimi pasues", tha zoti Price.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov që t'i jepte fund luftës në Ukrainë dhe i kërkoi Moskës ta anulonte vendimin për t’u tërhequr nga traktati për kontrollin e armëve bërthamore, START, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Ministria e Jashtme ruse tha se zoti Lavrov dhe zoti Blinken biseduan për këtë çështje për më pak se 10 minuta në fund të seancës me dyer të mbyllura dhe nuk u angazhuan në asnjë lloj negociatash, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

Sekretari i Shtetit Blinken tha më vonë në një konferencë shtypi se i kishte thënë zotit Lavrov që të angazhohej në gjetjen e zgjidhjeve diplomatike gjatë takimit të tyre të paplanifikuar në Indi./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat