Granatimet kanë shkëputur termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia të Ukrainës nga rrjeti energjetik ukrainas, njoftoi sot në mëngjes kompania e energjisë Enerhoatom, përcjell Bota sot.
“Sot është ndërprerë linja e fundit e komunikimit ndërmjet NPP-së së okupuar Zaporizhzhia dhe sistemit energjetik të Ukrainës. Karburanti për funksionim mbetet për 10 ditë”, thuhet në një deklaratë të kompanisë.
Në gusht të vitit të kaluar zjarret e shkaktuara nga granatimet prenë linjën e fundit të mbetur të energjisë në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, duke e shkëputur përkohësisht atë nga Rrjeti Kombëtar i Ukrainës për herë të parë në gati 40 vjet funksionim.
Më pas, u deshën dy javë që energjia t'i rikthehej uzinës.