Vendet perëndimore po shqyrtojnë mundësinë e masave ndëshkuese ndaj Iranit për shkak të programit të tij bërthamor, pak para takimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që do mbahet këtë javë në Vjenë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, agjencia e OKB-së, kërkon urgjentisht që Irani të shpjegojë uraniumin e pasuruar në një nivel të lartë, i cili u zbulua së fundmi dhe që nuk ishte deklaruar nga republika islamike.
Teherani tha se do të bashkëpunojë me hetimin mbi grimcat e uraniumit të gjetura në vende të padeklaruara në Iran, përpara takimit njëjavor të bordit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), në Vjenë.
Kjo pasoi një vizitë në kryeqytetin iranian javën e kaluar nga shefi i kësaj agjencie, Rafael Grossi.
“Ishte hera e parë që pata një bisedë serioze me presidentin e Iranit për këto gjëra. Kjo ka rëndësi të madhe. Nuk bëhet fjalë për premtime, ne kemi disa marrëveshje të cilat janë konkrete”, tha Rafael Grossi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Zoti Grossi tha se Irani do të lejojë gjithashtu riinstalimin e pajisjeve të monitorimit në objektet kryesore bërthamore megjithëse detajet për këtë ende po diskutohen.
Pajisjet fillimisht u vendosën në bazë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, ose JCPOA, midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.
Ato u hoqën vitin e kaluar ndërsa marrëveshja ra, pasi më 2018 presidenti Donald Trump shpalli tërheqjen e SHBA-së nga ajo.
Vendet perëndimore paralajmërojnë se Irani është shumë më afër prodhimit të një bombe bërthamore. Teherani këmbëngul se aktivitetet e tij bërthamore janë për qëllime civile.
Muajin e kaluar, agjencia ndërkombëtare bërthamor tha se inspektorët kishin gjetur grimca uraniumi të pasuruara deri në 83.7 për qind në uzinën bërthamore të Iranit, Fordo. Teherani ka thënë se sasia e uraniumit të gjetur është aq e vogël sa “nuk mund të shihet as nën një mikroskop”.
Zyrtarët e agjencisë së OKB-së, thanë gjithashtu se rezervat e Iranit me uranium të pasuruar deri në 60 për qind ishin rritur që nga takimi i fundit tremujor. Kritikët thonë se Perëndimi duhet të vendosë më shumë masa ndëshkuese ndaj Iranit.
“Ajo që duhet të bëjmë tani është të tërhiqemi dhe të rivendosim plotësisht sanksionet. Veçanërisht ato që kanë ekzistuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga viti 2006 deri në vitin 2010 që krijojnë një bazë shumëpalëshe për presion, që përfshinë ndalim të përhershëm të armëve dhe testeve të përhershme të raketave në Republikën Islamike”, tha Benham Ben Taleblu nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, një organizatë jo qeveritare dhe lobuese me seli në Uashington.
CIA tha muajin e kaluar se nuk kishte asnjë provë që Irani kishte vendosur të shfrytëzojë uraniumin e tij të pasuruar për prodhim armësh, por vuri në dukje se programi bërthamor i vendit po rritej me një “ritëm shqetësues”.
Izraeli, ndërkohë, ka thënë se nuk do ta lejojë Iranin të prodhojë një bombë bërthamore.
“A i lejohet Iranit, i cili haptazi bën thirrje për shkatërrimin tonë, të ndërtojë armët për shkatërrimin tonë? A na ndalohet të mbrohemi? Natyrisht nuk na ndalohet dhe ne padyshim që do e mbrojmë vetën”, tha kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Bisedimet jo të drejtpërdrejta midis SHBA-së dhe Iranit për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 u ndërprenë në muajin shtator.
Që atëherë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë vendosur sanksione të mëtejshme ndaj Teheranit pas shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare dhe furnizimit të Rusisë me dronë ushtarakë./VOA