Banorëve në Burketown u është thënë të evakuohen pasi përmbytjet pritet të shkaktojnë probleme në sistemin e kanalizimeve dhe ndërpresin furnizimin me energji të qytetit të Queensland.
Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, policia po inkurajon banorët të largohen nga qyteti i vogël, pasi ai po përjeton përmbytje rekord, me paralajmërime përgjatë lumenjve Nicholson, Gregory dhe Leichhardt.
“Kanalizimi në qytet është komprometuar dhe rryma në qytet do të ndërpritet sot”, ka thënë policia e Queensland në një deklaratë.
“Policia po u kërkon me forcë të gjithë banorëve të mbetur që të largohen nga komuniteti i Burketown sa më shpejt të jetë e mundur”.
Shërbimet e Zjarrfikësve dhe Emergjencës në Queensland lëshuan gjithashtu një alarm urgjent për qytetin, duke paralajmëruar banorët se sot është shansi i tyre i fundit për t’u evakuuar.
Paralajmërimet vijnë pasi pjesë të veriperëndimit të Queensland-it panë midis 200 mm dhe 500 mm shi këtë javë – gjë që edhe shkaktoi përmbytjet.