Pentagoni po i kërkon Kongresit 842 miliardë dollarë (690 miliardë £) në vitin buxhetor 2024 - kërkesa më e madhe që nga kulmi i luftërave në Irak dhe Afganistan në mesin e viteve 2000, shkruan "Sky news", transmeton "Bota sot".
Kjo është pjesërisht për të përballuar koston më të lartë të armëve dhe pjesëve, por edhe për t'iu përgjigjur dobësive që lufta e Ukrainës ka ekspozuar në mbrojtjen e SHBA-së dhe kërcënimit strategjik që ajo sheh nga arsenali bërthamor i Kinës në rritje me shpejtësi, aftësitë e saj hipersonike dhe përfitimet e saj në hapësirë.
Rruga e shpenzimeve do ta vendoste buxhetin vjetor të ushtrisë amerikane mbi pragun e një trilion dollarësh në vetëm disa vite, tha shefi financiar i Pentagonit.
Ndërsa numri duket astronomikisht i lartë, ai është vetëm rreth 3% e prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Për krahasim, gjatë Luftës së Dytë Botërore vendi shpenzoi rreth një të tretën e PBB-së së tij për mbrojtje, tha kontrolluesi i Pentagonit, Michael McCord.
Kërkesa buxhetore është pjesë e një propozimi të përgjithshëm për shpenzime prej 6.8 trilion dollarësh të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden javën e kaluar, të cilin republikanët thonë se do ta refuzojnë. Por nuk është e qartë se si do të veprojnë në lidhje me propozimin e Pentagonit.