Turqia vazhdon bisedimet për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave

Bota

Turqia vazhdon bisedimet për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave

Më: 14 mars 2023 Në ora: 18:50
Foto ilustrim

Përderisa marrëveshja e drithërave e Detit të Zi është paraparë të skadojë të shtunën, Turqia bëri të ditur se bisedimet për zgjatjen e saj janë ende duke u zhvilluar.

Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes turke thuhet se ministri Hulusi Akar bashkë me autoritetet përkatëse po vazhdojnë të negociojnë dhe të koordinohen për të vazhduar me aktivitetet e marrëveshjes së drithrave, si dhe për ta zgjatur atë në përputhje me marrëveshjen, duke marrë parasysh kërkesat e palëve.

“Në këto bisedime, palëve u kujtohet rëndësia e vazhdimit të kësaj nisme, e cila ka një ndikim pozitiv ndaj njerëzve në mbarë botën dhe dëshmon se të gjitha krizat mund të zgjidhen me vullnet të mirë dhe dialog”, thuhet në njoftim, shkruan Anadolu.

Marrëveshja e drithërave e Detit të Zi ka mundësuar eksportin e 24 milionë tonë drithërave, theksohet në deklaratë, duke shtuar se Turqia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj për të siguruar paqen në rajon dhe ndihmën humanitare.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se “janë vlerësuar hapat e ndërmarra nga palët për të zgjeruar iniciativën”.

Deklarata erdhi një ditë pasi Rusia tha se mbështet një zgjatje 60-ditore të marrëveshjes historike që u nënshkrua nga Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina në Stamboll korrikun e kaluar, duke mundësuar rifillimin e eksporteve të grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u bllokuan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.

Megjithatë, Ukraina tha se pozicioni i Rusisë për të zgjatur marrëveshjen “vetëm për 60 ditë bie ndesh me dokumentin”.

Marrëveshja u zgjat për 120 ditë në nëntor 2022.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat