Dy persona u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën të hënën në qytetin e Ukrainës, Sloviansk, si pasojë e sulmeve me artileri nga trupat ruse. Njoftimi u bë nga zyrtarë lokalë të qytetit që shtrihet në rajonin pjesërisht të pushtuar lindor, Donetskut.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy e cilësoi sulmin si terrorizëm.
Moska ka mohuar vazhdimisht se me sulmet e saj ka synuar zonat e banuara edhe pse sulmet me artileri e raketa ruse kanë goditur çdo ditë ndërtesa banimi dhe infrastrukturën civile të Ukrainës.
Sulmi në Sloviansk shihet si një model tipik i sulmeve me rreze të gjatë, miratuar nga trupat e Kremlinit, veçanërisht në muajt e fundit, pas një ndërprerje të luftimeve gjatë muajve të ftohtë të dimrit.
Gjatë 24 orëve të fundit, rreth 10 qytete dhe fshatra u sulmuan me artileri nga forcat ruse në rajonin lindor të Donetskut, njoftoi të hënën zyra e presidentit të Ukrainës.
Sot në mëngjes, raketat ruse goditën qytetin Avdivka, duke dëmtuar disa ndërtesa banimi, një hotel dhe një gjykatë.
Kryebashkiaku i Avdivkës, Vitali Barabash tha se qyteti ngjan gjithnjë e më shumë me një imazh nga filmat me ngjarje post-apokaliptike.
Sulmet u intensifikuan gjithashtu edhe në rajonin pjesërisht të pushtuar në juglindje të vendit, Zaporizhia, si pasojë u goditën 14 vendbanime që ndodhen në vijën e frontit.
Në rajonin pjesërisht të pushtuar atë të Khersonit, pjesa e kontrolluar nga ukrainasit u bombardua 20 herë, nga ajri e toka. Si pasojë u plagosën katër persona tha zyra e presidentit.
Autoritetet e instaluara nga Rusia në qytetin e pushtuar Melitopol njoftuan gjithashtu për disa shpërthime të hënën. Sulmet sipas tyre plagosën katër persona, shkatërruar pjesërisht një shkollë, e disa ndërtesa të tjera./VOA