Policia australiane ka akuzuar një burrë që dyshohet se mbante atë që dukej të ishte një pushkë sulmi AK-47 – por që doli të kishte një qëllim krejt tjetër, rapoeton BBC.
Policët nxituan në veprim pas një morie thirrjesh urgjente nga veriperëndimi i Sidneit të mërkurën në mbrëmje.
Një helikopter iu bashkua kërkimit përpara se kamera të çonte policinë në një makinë të parkuar.
Një “armë” u gjet, por policia shpejt kuptoi se ajo ishte në fakt një bong – një pajisje që përdoret për të pirë marihuanë.
Një 50-vjeçar u arrestua më vonë në lidhje me ngjarjen, tha policia.
“Një kontroll i automjetit nga policia dyshohet se gjeti një pushkë sulmi imitim AK-47. Me ndihmën e Polair [helikopterit], oficerët gjetën një burrë në një livadh aty pranë”, thuhet në një deklaratë të Policisë së Uellsit të Ri Jugor.
Burri u akuzua më vonë për posedim të një arme zjarri të paautorizuar dhe kanosje.
Atij i është caktuar masa e paraburgimit dhe çështja e tij do të shqyrtohet në muajin prill.
Policia do të pretendojë në gjykatë se sendi i sekuestruar ishte një bong, një pajisje filtruese e mbushur me ujë e përdorur për të tymosur marihuanë dhe substanca të tjera bimore, raportuan mediat lokale.
Ligjet e NSW-së për drogat thonë se është një shkelje “shitja, furnizimi ose shfaqja për shitje e një bongu… ose pjesëve përbërëse, pavarësisht nëse ai synohet të përdoret për të administruar një ilaç të ndaluar”.
I projektuar si një armë e lirë dhe e besueshme për ushtrinë sovjetike nga Mikhail Kalashnikov në vitet 1940, rreth 100 milionë AK-47 vlerësohet të jenë prodhuar gjatë shtatë dekadave.