Vrasja e blogerit ushtarak rus/ Instituti për Studimin e Luftës: Mund të jetë një paralajmërim për shefin e mercenarëve të Wagner

Bota

Vrasja e blogerit ushtarak rus/ Instituti për Studimin e Luftës: Mund të jetë një paralajmërim për shefin e mercenarëve të Wagner

Më: 3 prill 2023 Në ora: 14:41
Vladlen Tatarsky

Vrasja të dielën e blogerit ushtarak rus Vladlen Tatarsky mund të ekspozojë “konflikte të mëtejshme brenda Kremlinit dhe rrethit të tij të brendshëm”.

Ky është një nga vlerësimet e Institutit për Studimin e Luftës (ISW), në raportin e fundit.

Tatarski, emri i vërtetë i të cilit është Maksim Fomin, u vra mbrëmë në një shpërthim në një kafene në pronësi të themeluesit të grupit famëkeq ushtarak mercenar Wagner, Yevgeniy Prigozhin.

Përveç kësaj, në raportin e fundit për luftën në Ukrainë, ISW thekson se burimet e Ministrisë së Brendshme ruse njoftuan se shërbimet speciale ruse “kanë ditur për një kohë të gjatë për planet për të vrarë Fomin”.

Gjithashtu, siç thuhet në raport, vrasja e Fomin mund të ketë qenë si një paralajmërim për Prigozhin, i cili gjithnjë e më shumë ka vënë në pikëpyetje pikat kryesore të Kremlinit për luftën në Ukrainë dhe madje duke sinjalizuar një interes për presidencën ruse, qoftë në konkurrencë me Putinin apo si pasardhës i tij.

Po sipas ISW, biografia dhe sjellja e Fomin kanë një ngjashmëri me Prigozhin, pasi që të dy u bënë figura të shquara ultranacionaliste pasi u burgosën dhe morën falje.

Bëhej fjalë për një nga blogerët ushtarakë më me ndikim rusë dhe një figurë e shquar në hapësirën ruse të informacionit pro-luftës.

Zyrtarët rusë thanë se Tatarsky, i cili ishte një mbështetës i zjarrtë i luftës në Ukrainë, u vra ndërsa po drejtonte një diskutim në një kafene të qytetit të dytë më të madh të Rusisë.

Raportet pretendonin se blogeri 40-vjeçar po takohej me anëtarët e publikut kur një grua i dha atij një kuti që përmbante një bust të tij që shpërtheu.

I lindur në Donbas, një qendër industriale e Ukrainës, Tatarsky, emri i vërtetë i të cilit ishte Max Fomin, filloi jetën e tij të punës si minator qymyri përpara se të fillonte një biznes mobiljesh, shkruan Sky News.

Por kur përjetoi vështirësi financiare, vendosi të grabiste një bankë dhe u dënua me burg.

Ai u largua nga paraburgimi pasi një rebelim separatist i mbështetur nga Rusia përfshiu Donbasin në vitin 2014, disa javë pasi Moska aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës.

Më pas Tatarsky iu bashkua rebelëve separatistë dhe luftoi në vijën e parë përpara se të bëhej bloger – dhe shpejt u bë i njohur për deklaratat e tij dhe retorikën e zjarrtë pro-luftës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat