Gazetari amerikan Evan Gershkovich, i cili u arrestua dhe u akuzua për spiunazh në Rusi javën e kaluar, ka apeluar vendimin për paraburgim nëpërmjet avokatëve të tij, ndërsa Uashingtoni tha se po "po bënte të gjitha përpjekjet" për të siguruar lirimin e tij.
Një gjykatë në Moskë të enjten e kaluar e la në paraburgim gazetarin e gazetës Wall Street Journal deri më 29 maj me akuza që parashikojnë një dënim deri në 20 vjet burg.
Ekipi mbrojtës i zotit Gershkovich ka apeluar vendimin që ai të mbahet në burgun Lefortovo të Moskës në pritje të gjykimit.
Wall Street Journal ka mohuar akuzat kundër tij, i ka cilësuar ato si "një sulm të egër ndaj një shtypi të lirë" dhe ka bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.
Kremlini tha javën e kaluar, pa dhënë prova, se zoti Gershkovich ishte "kapur në flagrancë".
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve të hënën se SHBA "do të bëjë gjithçka që mundet për ta kthyer Evanin në shtëpi" dhe tha se Uashingtoni "po bën të gjitha përpjekjet që nga momenti kur zbuluam se gazetari ishte arrestuar."
Rasti është masa më serioze kundër një gazetari amerikan në Rusi që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Ai nuk ka qenë në gjendje të komunikojë me botën e jashtme që kur u arrestua në qytetin Ural të Yekaterinburgut javën e kaluar. Avokati i tij nuk ishte në gjendje të shihte materialet e çështjes gjatë seancës dëgjimore të javës së kaluar.
Kryeredaktorja e Wall Street Journal, Emma Tucker tha për gazetën Times të hënën se "shpresonte" që zoti Gershkovich të ishte në gjendje të fliste me një avokat "javën e ardhshme".
Ambasadori rus i OKB-së Vassily Nebenzia u tha gazetarëve të hënën se hetimi ishte në vazhdim dhe ai nuk kishte asnjë informacion se çfarë provash kanë autoritetet ruse për veprimet e Gershkovich./VOA