Çdo përpjekje e Kinës për të ndryshuar me forcë status quo-në me Tajvanin do të godiste “çdo vend në tokë”, paralajmëroi Sekretari Amerikan i Shtetit – Antony Blinken, në një intervistë me Euronews, ku ai gjithashtu bëri të qartë se vendi i tij nuk kërkon një konfrontim të drejtpërdrejtë me Pekinin.
Kina e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur dhe është zotuar ta ribashkojë ishullin demokratik me kontinentin, një qëllim që vendet perëndimore e interpretojnë si një gjuhë të koduar për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në shkallë të plotë dikur në të ardhmen.
Këto frika janë shtuar në mënyrë drastike pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që ka shkaktuar një përkeqësim të dukshëm në marrëdhëniet midis Kinës dhe Perëndimit.
Duke folur për Euronews pas një takimi të mërkurën me ministrat e punëve të jashtme të NATO-s në Bruksel, Antony Blinken ndau ankthin e tij personal dhe paralajmëroi për pasoja të mëdha dhe jashtëzakonisht të dëmshme nëse Kina bën një lëvizje të njëanshme kundër Tajvanit.
“E kam dëgjuar këtë në bisedat me shumë nga aleatët tanë të NATO-s si dhe partnerët në Azi: ekziston shqetësimi se, nëse do të kishte një krizë si rezultat i veprimeve të Kinës mbi Tajvanin, kjo do të kishte pasoja për pothuajse çdo vend në tokë”, tha Blinken.
“50% e trafikut tregtar global kalon nëpër ngushticën e Tajvanit çdo ditë. 70% e gjysmëpërçuesve që na duhen për telefonat tanë inteligjentë, për pjatalarëse, për makinat tona, janë prodhuar në Tajvan”
“Nëse do të kishte një lloj krize si rezultat i diçkaje që bëri Kina, kjo do të kishte efekte tmerrësisht shkatërruese në ekonominë globale, kjo është arsyeja pse vendet në mbarë botën shikojnë nga të gjithë që të sillen dhe të veprojnë me përgjegjësi, shtoi ai.