Pas Armenisë, që tha se do ta arrestonte presidentin Vladimir Putin, nëse shkelte në territorin e tyre, Rusia ka marrë një tjetër shuplakë të forte nga një vend aleat, kësaj radhe nga India. Banka e dytë më e madhe shtetërore e Indisë, Bank of Waroda, ka ndaluar miratimin e pagesave për naftën ruse të shitur mbi një çmim të vendosur nga Perëndimi këtë muaj. Lajmin e kanë konfirmuar për Reuters tre burime të njohura me këtë çështje. Disa rafinerë indiane paguanin në monedhën e Emirateve të Bashkuara Arabe për naftën bruto ruse me squfur të ulët me një çmim prej më shumë se 60 dollarë për fuçi duke përdorur Bankën e Barodës.
Grupi G7, Bashkimi Evropian dhe Australia vendosën një tavan çmimi në fund të vitit të kaluar për të ndaluar tregtimin e naftës ruse nëse ajo nuk shitet me një çmim të ulët të imponuar, gjithçka për të privuar Moskën nga fondet për luftën e saj në Ukrainë. “Banka e Baroda është jashtëzakonisht e kujdesshme në shlyerjen e pagesave për naftën ruse të blerë me një çmim mbi tavanin. Ata na thanë se nuk ka asnjë pagesë mbi atë çmim”, tha burimi për Reuters. Vetë Banka ende nuk ka komentuar këtë situatë.
“Shpëtimi” nga sanksionet
Para fillimit të luftës në Ukrainë, rafinerët indianë rrallë blinin naftë nga Rusia për shkak të kostove më të larta të transportit. Pas sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës, rafineritë indiane shfrytëzuan mundësinë dhe blenë me një çmim më të ulët. Rusia ka zëvendësuar kështu Irakun si furnizuesin kryesor të naftës së Indisë gjatë muajve të fundit. Disa rafineri, kryesisht operatorë privatë, bëjnë pagesa në dirhemë për naftën bruto ruse përmes huadhënësit privat Axis Bank. Nuk dihet ende nëse Axis Bank ka ndaluar tregtimin e naftës ruse me një çmim mbi tavan.
“India nuk e njeh kufirin perëndimor mbi çmimet e naftës ruse”, tha një burim i ministrisë së naftës për Reuters muajin e kaluar. “Ne as ndaluam dhe as reduktuam blerjen e naftës ruse pas vendimit të Bankës së Barodës. Ne do të konsiderojmë përdorimin e rupive për të paguar naftën e blerë me një çmim mbi tavanin”, tha një burim tjetër. Vitin e kaluar India krijoi një mekanizëm për shlyerjen e tregtisë ndërkombëtare në rupi, që ende nuk është nisur për shkak të mungesës së interesit rus për rupinë dhe për shkak të deficitit tregtar të Indisë me Moskën. Megjithatë, gjatë vizitës së javës së kaluar në Indi, CEO i kompanisë ruse të naftës Rosneft, Igor Sechin, diskutoi mënyrat për të zgjeruar bashkëpunimin me Indinë, duke përfshirë mundësinë e pagesës në monedhën kombëtare.
Lufta në Ukrainë
Që kur trupat ruse u futën në Ukrainë, qeveria indiane duket se ka bërë akrobacira diplomatike dhe ka abstenuar gjatë votimit të gjithë rezolutave të OKB që dënojnë sjelljen e Rusisë. Këtu bën pjesë votimi në Këshillin e Sigurimit të OKB, në Asamblenë e Përgjithshme, në Këshillin e OKB për të drejtat e njeriut dhe në Agjencinë Ndërkombëtare për energjinë atomike. Arsyeja për këtë ka nga njëra anë të bëjë me lidhjet historike dhe strategjike me Rusinë. Por nga ana tjetër ka të bëjë edhe me një nga parimet qendrore të politikës së jashtme të Indisë: Dëshirën që të ketë marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme me të gjitha fuqitë e mëdha, përfshirë edhe Rusinë. Po ashtu ekzistojnë ngjashmëri në stilin politik populist të presidentit rus Vladimir Putin dhe kryeministrit të Indisë, Narendra Modi.
Hakmarrja e Putinit
Analistët dhe shkencëtarët politikë përmendin katër faktorë kryesorë që formësojnë politikën e Indisë ndaj Ukrainës dhe Rusisë: Historia, energjia, armët dhe ndikimi. Marrëdhëniet u përmirësuan gjatë Luftës së Ftohtë, dhe fundi i saj nuk e ndryshoi këtë. As lufta e Ukrainës. Po ashtu, Moska është tregtari më i madh i armëve në Indi dhe thuhet se i ka furnizuar rreth 13 miliardë dollarë armë vetëm në pesë vitet e fundit. Ka një arsye të madhe përse India ka nevojë për të gjitha këto armë: Kina. Ndaj, nuk dihet pse India ka vendosur të ndërmarrë një nismë të tillë në këtë moment, të tradhtojë një aleat, por me siguri Putin nuk do ta lërë pa përgjigje, pasi kjo do të ndikojë pa dyshim në tregtinë ruse dhe efektet e sanksioneve të BE-së.