BE dhe Kina ranë dakord që marrëdhëniet e tyre tregtare duhet të ribalancohen. Po ashtu ato thanë se duhet të fillojnë bisedimet e paqes në Ukrainë.
Në takimin me presidentin kinez Xi, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh kundër dërgimit të armëve në Rusi. Von der Leyen tha më pas për gazetarët se ajo po llogarit që Kina të mos i vërë në dispozicion Rusisë asnjë pajisje ushtarake "direkt ose indirekt". Armatosja e agresorit është kundër ligjit ndërkombëtar dhe do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet tona. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka një përgjegjësi të madhe.
Duke ju referuar luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, von der Leyen i bëri gjithashtu thirrje presidentit Xi Jinping që të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenski. Ursula von der Leyen tha se e vlerëson si "shenjë pozitive" premtimin e kreut të shtetit kinez se do ta bënte një gjë të tillë sapo të ishte koha e duhur.
Von der Leyen flet për pabarazitë në marrëdhëniet BE-Kinë
Presidentja e Komisionit Evropian, von der Leyen, e cila javën e kaluar u shpreh gjatë një konference në Bruksel pro një qëndrimi më të ashpër të BE-së ndaj Kinës, mbeti e vendosur edhe pas takimeve të saj me Presidentin Xi dhe zyrtarë të tjerë kinezë në Pekin.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/April/07/auto_65251445_9061680847213.jpg)
Në një takim tripalësh me presidentin francez Macron dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, ajo tha se nuk e sheh "shkëputjen nga Kina" si një strategji të zbatueshme ose të dëshirueshme për zbutjen e marrëdhënieve Kinë-BE.
Por ajo paralajmëroi se ka një sërë rreziqesh dhe çekuilibërash kritikë në marrëdhëniet ekonomike mes BE-së dhe Kinës për të cilat duhet folur. Marrëdhëniet midis BE-së dhe Kinës kanë qenë të ftohta që nga viti 2021, kur ngecën negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Investimet (CAI), e cila synonte të sillte përfitime për të dyja palët.
Joerg Wuttke, presidenti i Dhomës së Tregtisë së BE-së në Pekin, i cili u takua me von der Leyen para takimeve të saj me zyrtarët kinezë, tha për DW se ratifikimi i CAI-t ishte kyç për kompanitë kineze pasi ato do të përfitonin prej kësaj marrëveshjeje. Por ai tha se objektivi kryesor për Ursula von der Leyen ishte aktualisht përmendja e disbalancave tregtare në një fushë gjeopolitike të minuar.
"Evropianët i duan produktet kineze dhe shitjet e mallrave kineze në tërësi kanë qenë të jashtëzakonshme. Vitin e kaluar Kina dërgoi 6.4 milionë kontejnerë në Evropë, ndërsa BE dërgoi vetëm 1.6 milion kontejnerë në Kinë," tha ai, duke shtuar se investimet e BE-së në Kinë kishin rënë me 50%.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/April/07/auto_65251475_9061680847247.jpg)
Von der Leyen i pranoi këto çështje dhe u tha gazetarëve pas takimit të saj me Xi se ajo kishte bërë thirrje për rifillimin e dialogut ekonomik BE-Kinë. Sipas televizionit shtetëror kinez CCTV, Xi tha se Kina dhe BE-ja duhet të krijojnë mirëkuptim "korrekt" të ndërsjellë dhe të shmangin keqkuptimet dhe gjykimet e gabuara.
Tensionet në ngushticën e Tajvanit
Vizita e von der Leyen dheMacronu zhvillua jo vetëm në një kohë që zhvillohet lufta në Ukrainë, por edhe në një kohë tensionesh në ngushticën e Tajvanit.
"Stabiliteti në ngushticën e Tajvanit është i një rëndësie të madhe," u tha von der Leyen gazetarëve, duke nënvizuar se askush "nuk duhet të ndryshojë në mënyrë të njëanshme status quo-në me kërcënimin e forcës në këtë rajon dhe tensionet duhet të zgjidhen përmes dialogut"./DW