LIVE: Zbulimi i dokumenteve sekrete të NATO-s, zhvillime të papritura në Ukrainë – Rusia reagon ndaj ‘shuplakës’ së Kinës

Bota

LIVE: Zbulimi i dokumenteve sekrete të NATO-s, zhvillime të papritura në Ukrainë – Rusia reagon ndaj ‘shuplakës’ së Kinës

Nga: Bota sot Më: 7 prill 2023 Në ora: 08:15 Përditësuar në ora: 18:20 më 07.04.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Ushtarët çeçenë kërcënojnë me luftë banorët e Moskës që kundërshtojnë ndërtimin e xhamisë, Kadyrov: Shfryjeni inatin në luftë

Njerëz të armatosur, siç thuhet të ashtuquajturit “kadirovitët” apo luftëtarët e udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov, kanë kërcënuar banorët e Moskës me luftë ndaj protestave e tyre kundër ndërtimit të një xhamie në qytet.

“Ju paralajmërojmë! Nëse jeni kundër vullnetit të Plotfuqishmit, ne do të luftojmë me ju. Nuk na intereson se me kë luftojmë”, thotë njëri prej burrave në një video e cila së fundmi u bë virale në rrjetet sociale, duke shtuar se qytetarët e Moskës që nuk pajtohen me ndërtimin e xhamisë nxisin grindje etnike në Rusi, dhe për këtë arsye ata ose duhet të arrestohen ose të “shkatërrohen”.

Protestave në Moskë iu është përgjigjur edhe lideri çeçen Ramzan Kadyrov. Të hënën, më 3 prill, ai postoi një mesazh në kanalin e tij në Telegram duke i quajtur “frikacakë dhe provokatorë” rusët që kundërshtuan ndërtimin e një xhamie.

“Nëse të gjithë këta pjesëmarrës në tubim do të dilnin me idenë për të mbrojtur tokën ruse, atëherë shkoni në llogore me një mitraloz!”, tha ai.

“Nxitës të tillë ose duhet të rekrutohen për të shfryrë të gjithë zemërimin e tyre mbi armikun ose të dërgohen në gjykatë si sabotues informacioni që veprojnë për të kënaqur satanistët”, tha Kadyrov.

Në shkurt, autoritetet e Moskës filluan të planifikojnë ndërtimin e xhamisë më të madhe në Evropë në kryeqytetin rus.

Sidoqoftë, vendi që u dha për ndërtim, rrethi Kosino-Ukhtomsky – shkaktoi mosmarrëveshje të rënda publike pasi aty afër është Kishë Ortodokse Ruse dhe një Liqen i Shenjtë, të cilin vendasit e nderojnë.

Mijëra njerëz e kundërshtuan ndërtimin. Një burrë i panjohur ka varrosur kokën e një derri në kantierin e xhamisë.

Dezertoi luftën ndaj Ukrainës, ish-komandanti rus i grupit Wagner arrestohet në Suedi

Një ish-komandant i grupit të mercenarëve Wagner, i cili u arratis për në Norvegji është arrestuar në Suedi. Lajmi është bërë i ditur nga një aktivist rus për të drejtat e njeriut.

Andrei Medvedev dezertoi pasi iu bashkua grupit mercenar si vullnetar në korrik dhe u dërgua në Ukrainë 10 ditë pas nënshkrimit të kontratës së tij. Sipas mediave të huaja ai është arrestuar për çështje migrimi dhe jo lidhur me luftën në Ukrainë.

Andrei pretendon se nuk e dinte se nuk mund të largohej nga Norvegjia derisa të shqyrtohej çështja e azilit politik”, tha një zyrtar norvegjez. 

26-vjeçari tani po mbahet në burgun e migracionit të Goteborgut.

Medvedev u arratis nga lufta ndaj Ukrainës për në Norvegji, duke kërkuar azil politik.

Takimi Macron-Xi Jinping, Kremlini reagon: Pikë e rëndësishme kontakti, Kina nuk e ndryshon qëndrimin për luftën

Kremlini po vëzhgon nga afër raportet e bisedimeve midis Presidentit Xi Jinping të Kinës dhe Presidentit Emmanuel Macron të Francës, pasi Rusia e sheh si një “pikë të rëndësishme kontakti”, u tha gazetarëve të premten zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov.

“Padyshim që është një pikë shumë e rëndësishme kontakti dhe sigurisht që po i monitorojmë të gjitha raportet në këtë drejtim”, tha ai.

I pyetur nëse Macron mund të ndikojë potencialisht në pozicionin e Kinës për konfliktin ukrainas gjatë vizitës së tij në Pekin, Peskov tha se: “Kina është një fuqi e madhe shumë serioze që ruan pozicionin e saj sovran”.

"Është një qëndrim shumë serioz që është formuluar me gjithë gravitetin e duhur. Nuk është lloji i vendit që të ngrihet papritur dhe të ndryshojë pozicionet e tij për shkak të ndikimit të huaj,” vuri në dukje zëdhënësi i Kremlinit.

Avionët luftarakë të nisur për në Kiev, Sllovakia e alarmuar: Mund të jenë sabotuar nga rusët

Teknikët rusë mund të kenë sabotuar avionët e nisur për në luftën në Ukrainë, pretendon Sllovakia.

Ministri i mbrojtjes i vendit, Jaroslav Nad, tha se avionët luftarakë MiG-29 që i furnizoi Ukrainës mund të jenë dëmtuar qëllimisht nga Rusia në një bazë ajrore. Ai tha se defekte u gjetën vetëm në pjesët “të aksesuara nga rusët”.

Megjithatë, një hetim nuk ishte në gjendje të provonte qëllimin nga ana e teknikëve. Ata kishin qenë të pranishëm në bazën ajrore Sliac deri vitin e kaluar.

“Defektet u shfaqën vetëm në ato pjesë të aksesuara nga rusët”, tha Nad.

Sllokava është një ndër vendet aleate të Ukrainës dhe ka treguar mbështetjen duke e furnizuar me armë luftarake.

Bota ka nevojë për qetësi!”, presidenti i Brazilit: Zelensky të heqë dorë nga Krimea

Presidenti brazilian i ka kërkuar Ukrainës të heqë dorë nga Krimea, rajon i aneksuar nga Rusia.

Luiz Inacio Lula da Silva tha dje që ‘Ukraina duhet t’i dorëzojë Rusisë gadishullin e Detit të Zi për t’i dhënë fund luftës’, duke shtuar se homologu i tij ukrainas “nuk mund të dëshirojë gjithçka”.

Presidenti rus Vladimir Putin “nuk mund të pushtojë territorin e Ukrainës. Ndoshta do të diskutohet për Krimenë. As Zelensky nuk mund të dëshirojë gjithçka. Bota ka nevojë për qetësi! Ne duhet të gjejmë një zgjidhje “, tha Lula gjatë një takimi me gazetarët.

Përpara pushtimit të Moskës në shkurt, Kievi i shihte mjetet politike dhe diplomatike si mënyra më e mirë për ta kthyer gadishullin nën kontrollin e tij, por kjo ndryshoi me shpërthimin e luftës.

Deri më sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka refuzuar të negociojë me Moskën, duke këmbëngulur se ajo duhet së pari të tërheqë të gjitha trupat e saj nga Ukraina.

Krimea është aneksuar në vitin 2014 nga Rusia.

Pentagoni hetime rreth atyre që dyshohet të jenë dokumente sekrete lidhur me Ukrainën

Një rrjedhje e dokumenteve që dyshohet të jenë të klasifikuara, ku detajohen planet sekrete të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndihmuar Kievin, ka të ngjarë të jetë një operacion rus dezinformimi, për të hedhur dyshime në lidhje me kundërofensivën e planifikuar të Ukrainës, tha të premten një zyrtar i lartë ukrainas.

Mykhailo Podolyak i tha agjencisë së lajmeve Reuters se të dhënat e rrjedhura të raportuara nga gazeta New York Times përmbanin një “sasi shumë të madhe informacioni të sajuar” dhe se Rusia po përpiqet të rimarrë kontrollin e ofensivës së saj ndaj Ukrainës.

“Këto janë elemente standarde të lojërave operacionale nga zbulimi rus. Asgjë më shumë”, tha ai përmes një deklarate.

Agjencia e lajmeve Reuters tha se nuk ishte në gjendje të analizonte menjëherë dokumentet e rrjedhura.

New York Times raportoi të enjten se Pentagoni po heton se si këto dokumente që dyshohet se detajojnë planet për të përgatitur ushtrinë ukrainase për një ofensivë të planifikuar, u publikuan në mediat sociale këtë javë.

“Jemi në dijeni të njoftimeve për postime në mediat sociale dhe departamenti po shqyrton çështjen”, tha zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh.

Nga ana e tij zoti Podolyak i sheh këto zhvillime si një përpjekje të Rusisë për të fituar terren në Ukrainë:

“Ata po përpiqen të ndikojnë në skenarët e planeve kundërsulmuese të Ukrainës. Për të ngritur dyshime, për të kompromentuar idetë dhe në fund për të na frikësuar me idenë se sa ‘të informuar’ janë ata”.

Trupat ukrainase janë përballur prej muajsh me një sulm rus në lindje të vendit, të përqendruar rreth qytetit të Bakhmutit. Ukraina shpreson të nisë një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.

Raporti i gazetës New York Times thotë se dokumentet dukej se ishin modifikuar në pjesë të caktuara. Një pjesë e dokumenteve ofroi një vlerësim për humbjet ushtarake ukrainase që ishin shumë më të larta se vlerësimet perëndimore të disponueshme deri më tani.

Ukraina nuk i publikon nivelet e humbjeve të saj dhe është shumë e ndjeshme për këtë çështje./VOA

Mbi 650 mijë vaksina kundër poliomielitit dorëzohen në Ukrainë

Më shumë se 650 mijë vaksina kundër poliomielitit janë dorëzuar në Ukrainë, ka njoftuar UNICEF.

Grupi, i dyti që nga fillimi i shpërthimit të poliomielitit në 2021 në vend, synon të mbajë fëmijët të mbrojtur kundër sëmundjes.

“UNICEF-i është i përkushtuar të ndihmojë Ukrainën të forcojë sistemin e saj të kujdesit shëndetësor, përfshirë shërbimet e imunizimit, edhe më shumë në këtë kohë të vështirë”, tha përfaqësuesi i organizatës në Ukrainë, Murat Sahin.

Lufta ka shkaktuar një zhvendosje masive të popullsisë në vend dhe Sahin tha se kjo e bën sigurimin e mbrojtjes së njerëzve “shumë më të vështirë”.

Polio është një sëmundje shumë ngjitëse që prek sistemin nervor dhe mund të çojë në paralizë apo edhe vdekje.

Të gjithë personat e pavaksinuar mund të preken nga poliomieliti, si të rriturit ashtu edhe fëmijët.

Xi Jinping braktis Vladimir Putinin, Kina i jep për herë të parë “shuplakën” e fuqishme Rusisë për luftën në Ukrainë

Kina po jep sinjale se ka braktisur totalisht Rusinë. Lëvizjet e saj të fundit i kanë dhënë goditje tronditëse Presidentit rus Vladimir Putin, ku ekspertë paralajmërojnë fundin e tij shumë shpejt. Qëndrimi i Xi Jinping e kapi Putinin në befasi. Sapo filloi lufta, Rusia ishte e bindur se mund të mbështetej në të paktën një aleat, por sot siguritë zhduken. 

Ambasadori kinez Fu Cong foli me të përditshmen me ndikim amerikan përpara se presidenti francez Emmanuel Macron dhe shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen të niseshin për një vizitë tre-ditore në Kinë të mërkurën. Dy liderët evropianë po përpiqen të balancojnë lidhjet e tyre të thella tregtare me Kinën në një kohë kur SHBA është nën presion të fortë për të ashpërsuar politikat e saj, veçanërisht duke pasur parasysh mbështetjen e Kinës për Rusinë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. 

New York Times theksoi në mënyrë specifike momentet më të rëndësishme nga intervista me Fu. Sipas tyre, ambasadori ka minimizuar rëndësinë e deklaratës së përbashkët të presidentit rus dhe kinez të vitit të kaluar për miqësinë “pa kufi” mes dy vendeve. Përkatësisht, vetëm tre javë para se Rusia të pushtonte Ukrainën, presidentët Putin dhe Xi nënshkruan atë deklaratë të përbashkët. Megjithatë, Fu deklaroi në intervistë se Kina nuk ishte në anën e Rusisë në luftë dhe se disa njerëz "e keqinterpretojnë qëllimisht sepse ekziston një miqësi apo lidhje e ashtuquajtur "pa kufij". "Pa kufij" nuk është gjë tjetër veçse retorikë”, shtoi ai.

Lajmin e plotë lexojeni KETU

“Tërmet” në Ukrainë, Krimea fut në “sherr” qeverinë e Zelenskyt

Krimea sërish në qendër të luftës në Ukrainë. Deklaratat e bëra nga Andrii Sybiha, nënkryetar i zyrës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, kanë shkaktuar bujë të madhe. Zyrtari i lartë kishte shpjeguar për Financial Times se qeveria ukrainase do të ishte e gatshme të fillonte negociatat me Rusinë për Krimenë, në rast se forcat e Kievit do të ishin të suksesshme në kundërsulmin e tyre pranveror. Brenda pak orësh, sërish nga Kievi, erdhën përgjigje të çuditshme për një koment, i cili, me sa duket, nuk u pëlqye aspak nga nivelet e larta të ekzekutivit ukrainas.

Zëdhënësi i presidentit ukrainas, Sergiy Nikyforov, këshilloi që të merren parasysh vetëm deklaratat e Zelensky në lidhje me perspektivat e negociatave me Rusinë. Emblematike janë edhe fjalët e Mykhailo Podolyak, këshilltar i vetë Zelenskit, sipas të cilit baza për një negociatë reale me Moskën përkon me tërheqjen e plotë të ushtrisë ruse përtej kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës në 1991, përfshirë Krimenë.

Pozicioni i Kievit për Krimenë

Për të rindërtuar historinë, duhet të nisemi nga fjalët e Sybiha-s.

“Nëse mund të arrijmë qëllimet tona strategjike në fushën e betejës dhe kur të jemi në kufirin administrativ me Krimenë, do të jemi të gatshëm të hapim një faqe diplomatike për të diskutuar këtë çështje”, tha ai, cituar nga gazeta britanike. Zyrtari gjithashtu vuri në dukje se Ukraina nuk përjashton mundësinë e çlirimit të Krimesë me mjete ushtarake.

Në orët e fundit, jo për t'u habitur, këshilltari Podolyak ka deklaruar se "Rusia nuk ka burime të mjaftueshme për të trajtuar situatën në Krime" dhe se Kievi "do të rimarrë gadishullin" brenda një maksimumi "shtatë muajsh". Ajo që është e sigurt është se lirimi i Sybiha-s në Krime ka sjellë një përgjigje zyrtare nga Kievi.

Megjithatë, Zelensky kishte deklaruar së fundi, me rastin e një informimi të përbashkët me liderët e Moldavisë, Sllovakisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, se do të lejonte bisedimet e paqes me udhëheqjen ruse vetëm nëse trupat e Federatës tërhiqen vullnetarisht nga të gjitha territoret e pushtuara.

Negociatat dhe çlirimi

“Baza për një negociatë reale me Federatën Ruse është tërheqja e plotë e grupeve të armatosura ruse përtej kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës në vitin 1991. Përfshirë Krimenë. Nuk bëhet fjalë për lëshime territoriale apo pazare për të drejtat tona sovrane,” u shpreh Podolyak.

Duke gjykuar nga dy qëndrimet për Krimenë, ai i Sybiha-s dhe ai i Podolyak-ut, Kievi do të dukej i orientuar drejt përjashtimit të së parës, negociatave të propozuara nga zëdhënësi presidencial në FT, në bazë të të dytit, që përkon me ripushtimin total të Krimesë.

Ndoshta për të shmangur dërgimin e sinjaleve kontradiktore, qeveria ukrainase rregulloi menjëherë shtrirjen e vetë deklaratave të Sybha-s. Ndërkohë, një burim nga Moska ka përjashtuar mundësinë e negociatave për Krimenë mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Kjo është një deklaratë joserioze larg realitetit. Nuk mund të ketë negociata për Krimenë dhe territoret e tjera të Federatës Ruse. Integriteti territorial i Rusisë nuk është në pikëpyetje”, tha burimi, cituar nga RIA Novosti.

Paralajmërimi ukrainas

Rënia dhe shpërbërja totale e  Rusisë së Vladimir Putinit ka filluar dhe Perëndimi duhet të përgatitet të përballet me pasojat potencialisht katastrofike, ka paralajmëruar një zyrtar i lartë në qeverinë e Volodymyr Zelensky. Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha se Perëndimi duhet të jetë në gatishmëri të lartë, pasi në të kaluarën nuk ishte gati për rënien e Bashkimit Sovjetik. 

Ai tha se Kievi beson se Rusia do të shpërbëhet në mënyrë 'spektakolare' brenda disa viteve të ardhshme. Por ai paralajmëroi se Kina mban dorën e sipërme për kapitullimin e afërt të Kremlinit. 

Ai tha se nëse Perëndimi do ta lejonte Kinën të merrte territor në Rusi, do të krijohej një problem i ri i rëndë. Zyrtari i lartë ukrainas foli ndërsa Finlanda do të bashkohet zyrtarisht me NATO-n sot , duke siguruar vendin e saj në aleancën ushtarake perëndimore.

Rrjedhje informacioni, publikohen planet sekrete të SHBA-së dhe NATO-s për luftën në Ukrainë

Dokumentet e klasifikuara që detajojnë planet sekrete amerikane dhe të NATO-s për forcimin e ushtrisë ukrainase përpara një ofensive të planifikuar kundër Rusisë u bënë publike këtë javë në mediat sociale, thanë zyrtarë të lartë të administratës së Biden.

Pentagoni po heton se kush mund të qëndrojë pas publikimit të këtyre dokumentave, të cilat u shfaqën në Twitter dhe në Telegram, një platformë me më shumë se gjysmë miliardë përdorues që është gjerësisht e disponueshme në Rusi.

Analistët ushtarakë thanë se dokumentet duket se janë modifikuar, duke mbivlerësuar vlerësimet amerikane për viktimat e luftës në Ukrainë dhe duke nënvlerësuar vlerësimet amerikane për  numrin e viktimave ruse.

Ndryshimet mund të tregojnë për një përpjekje dezinformimi nga Moska, thanë analistët. Por zbulimet në dokumentet origjinale, të cilat janë foto të grafikëve të dërgesave të pritshme të armëve, forcimit të trupave dhe batalioneve dhe planeve të tjera, përfaqësojnë një shkelje të rëndësishme të inteligjencës amerikane në përpjekjen për të ndihmuar Ukrainën.

Zyrtarët e Biden janë përpjektur për t’i fshirë ato, por nuk ia dolën.

“Ne jemi të vetëdijshëm se këto raporte janë postuar në mediat sociale dhe departamenti po shqyrton çështjen”, tha Sabrina Singh, zëvendës sekretarja e shtypit në Pentagon.

Dokumentet nuk ofrojnë plane specifike beteje, si si, kur dhe ku Ukraina synon të nisë ofensivën e saj, e cila zyrtarët amerikanë thonë se ka të ngjarë të ndodhë muajin e ardhshëm ose më shumë, raporton abcnews.al.

Megjithatë, dokumentet pa dyshim ofrojnë shumë të dhëna dhe njohuri. Dokumentet përmendin, për shembull, shkallën e shpenzimeve të HIMARS – sistemet raketore që Amerika ka furnizuar Ukrainën, të cilat mund të kryejnë sulme kundër depove të municioneve, infrastrukturës dhe pozicionimit të trupave, nga distanca.

Analistët thanë të premten se mund të jetë e vështirë të vlerësohet ndikimi i zbulimit të dokumenteve në luftimet e vijës së parë tani dhe në muajt e ardhshëm. Në ofensivën e saj të fundit, Rusia është përpjekur për të arritur fitore në Ukrainën lindore dhe analistët perëndimorë kanë debatuar shpesh nëse ushtria ruse, pasi ka pësuar viktima të shumta, është e aftë të kryejë një tjetër ofensivë ose t’i rezistojë një sulmi ukrainas.

Ishte e paqartë se si përfunduan dokumentet në mediat sociale. Por kanalet e qeverisë pro-ruse kanë shpërndarë dhe qarkulluar lajmet, sipas analistëve ushtarakë.

Megjithatë, analistët thanë se pjesë të dokumenteve dukeshin autentike dhe do t’i siguronin Rusisë informacion të vlefshëm, si oraret për dërgimin e armëve dhe trupave, numrin e trupave ukrainase dhe detaje të tjera ushtarake.

Një dokument tjetër përfshin kolona që listojnë njësitë, pajisjet dhe stërvitjen e trupave ukrainase, me orare nga janari deri në prill. Dokumenti përmban një përmbledhje të 12 brigadave luftarake që janë duke u mbledhur, me nëntë prej tyre që me sa duket janë trajnuar dhe furnizuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të NATO-s.

Nga ato nëntë brigada, dokumentet thanë se gjashtë do të ishin gati deri më 31 mars dhe pjesa tjetër deri më 30 prill. Një brigadë ukrainase ka rreth 4,000 deri në 5,000 ushtarë, thanë analistët.

Në dokument theksohet se koha e dorëzimit të pajisjeve do të ndikonte në trajnimin dhe gatishmërinë për të përmbushur afatin kohor. Gjithsej pajisjet e nevojshme për nëntë brigada, thuhet në dokument, ishin më shumë se 250 tanke dhe më shumë se 350 automjete.

Rrjedhja e dokumentave është zbulimi i parë i inteligjencës ruse që është bërë publik që nga fillimi i luftës.

Gjatë gjithë luftës, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës informacion mbi postet komanduese, depot e municioneve dhe pikat e tjera kryesore në linjat ushtarake ruse. Diçka e tillë i ka lejuar ukrainasit të synojnë forcat ruse, të vrasin gjeneralë të lartë dhe të zhvendosin furnizimet me municione larg nga vijat e frontit rus, megjithëse zyrtarët amerikanë thonë se Ukraina ka luajtur rolin vendimtar në planifikimin dhe ekzekutimin e atyre sulmeve.

Rrjedhja e informacioneve të këtij lloji, e postuar në mediat sociale dhe e disponueshme në mbarë botën, do të dëmtojë  bashkëpunimin midis inteligjencës midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara./The New York Times

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat