Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken njoftoi një kundërsulm të mundshëm të ukrainasve ndaj forcave ruse.
Në një intervistë për gazetën franceze “Ouest-France“, ai pohoi se për shumë miq dhe partnerë të ukrainasve, përfshirë SHBA-në, kemi dy synime në Ukrainë.
“Qëllimi i parë është të bëjmë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Ukrainën të rifitojë territoret e pushtuara prej Rusisë, duke mbështetur një kundërofensivë, e cila pritet në javët e ardhshme”, tha Blinken.
Sipas tij, qëllimi i dytë është të ndihmojë Ukrainën “të ndërtojë kapacitetet e saja afatmesme dhe afatgjata për të penguar çdo agresion” dhe “të mbrohet nëse, megjithatë, ndodh një agresion i ri”.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se derisa Rusia të ndryshojë kursin, SHBA dhe aleatët e saj duhet “të ruajnë presionin e paprecedentë që shumë vende kanë nisur kundër Rusisë me sanksione dhe kontrolle të eksporteve”.
Kur u pyet nëse SHBA do ta mbështesë Kievin për çlirimin e Krimesë dhe Donbasit, Sekretari amerikan i Shtetit u përgjigj se përgjegjësia për një vendim të tillë i takon Ukrainës dhe se amerikanët, së bashku me shumë vende të tjera, do të mbështesin në përpjekjet e Ukrainës.
Ndryshe, Këshilli i Mbrojtjes i Ukrainës ka bërë të ditur se maksimumi pesë persona në planet e dinë se kur do të fillojë kundërofensiva.