Ministri i Jashtëm i Sirisë, Faisal Mekdad, ka mbërritur për një vizitë në Arabinë Saudite, pasi lidhjet midis Damaskut dhe Riadit rriten dhe rivendosja e marrëdhënieve midis dy vendeve arabe bëhet gjithnjë e më e mundshme.
Mekdad mbërriti në Jeddah të mërkurën i ftuar nga homologu saudit princi Faisal bin Farhan, raportuan mediat shtetërore saudite dhe siriane.
Të dy do të “mbajnë një seancë bisedimesh mbi përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike të krizës siriane që ruan unitetin, sigurinë dhe stabilitetin e Sirisë”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme saudite.
Ata do të diskutojnë gjithashtu “lehtësimin e kthimit të refugjatëve sirianë në atdheun e tyre dhe sigurimin e aksesit humanitar në zonat e prekura në Siri”, shtohet në deklaratë.
Vizita është e para e një ministri të jashtëm sirian në Arabinë Saudite që nga viti 2011, kur filloi lufta në Siri. Arabia Saudite mbështeti opozitën siriane, por lidhjet janë shkrirë muajt e fundit.
Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad ka mposhtur kryesisht opozitën me mbështetjen ruse dhe iraniane.
Gjatë muajve të fundit, ka pasur një angazhim në rritje me al-Asadin, i cili ka qenë i izoluar që nga fillimi i luftës në Siri.
Al-Assad ka vizituar Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omanin këtë vit, dhe muajin e kaluar Arabia Saudite tha se kishte filluar bisedimet me Damaskun për rifillimin e shërbimeve konsullore.
Ndërkohë, Arabia Saudite do të presë një takim të ministrave të jashtëm rajonalë të premten për të diskutuar kthimin e Sirisë në Ligën Arabe.