Ambasadori i SHBA-së në Sudan është detyruar të strehohet pasi konfliktet e vazhdueshme shpërthyen në kryeqytetin Khartoum, ndërsa janë përshkallëzuar tensionet midis ushtrisë dhe forcave paraushtarake.
John Godfrey tha se së bashku me stafin e ambasadës janë strehuar në një vend të sigurt pasi u dëgjuan të shtëna të fuqishme në disa zona të kryeqytetit, raporton skynews.
Milicia e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë pretendoi se kishte pushtuar aeroportin e Khartoumit dhe pallatin presidencial, si dhe një aeroport dhe bazën ajrore në qytetin verior të Marawit.
Ajo akuzoi ushtrinë se i kishte sulmuar forcat në një nga bazat e saja ndërsa ushtria sudaneze njoftoi se luftimet shpërthyen pasi trupat e RSF-së u përpoqën të sulmonin forcat e saja në pjesën jugore të kryeqytetit.
Godfrey tha se përshkallëzimi ishte “jashtëzakonisht i rrezikshëm” dhe i bëri thirrje udhëheqjes së lartë që të ndalojë përplasjet.
Ushtria tha se RSF ishte përpjekur të sulmonte trupat e saja në disa vende pasi dëshmitarët raportuan të shtëna të fuqishme me armë zjarri në disa pjesë të vendit, duke rritur frikën e një konflikti të plotë.
Tensionet aktuale midis ushtrisë dhe paraushtarakëve rrjedhin nga një mosmarrëveshje mbi mënyrën se si pjesëtarët e RSF-së duhet t’i bashkohen ushtrisë – një proces që është kushti kryesor i marrëveshjes së tranzicionit.