Më pak se shtatë ditë pas një inspektimi të befasishëm të Flotës Ruse të Paqësorit, komandanti i saj dha dorëheqje.
Admirali Sergey Avakyants u largua nga pozicioni i komandantit të Flotës së Paqësorit, raportoi Kommersant, duke iu referuar përfaqësuesit special të presidentit në Qarkun Federal të Lindjes së Largët, Yuriy Trutnev.
Pas largimit nga posti, Avakyants do të emërohet shef i shtabit që do të mbikëqyrë stërvitjen ushtarako-sportive dhe edukimin patriotik, raporton themoscowtimes.
Në fillim të këtij muaji, Ministri i Mbrojtjes, Sergey Shoigu tha se Flota e Paqësorit ishte vendosur në gatishmëri të plotë luftarake si pjesë e një “kontrolli të befasishëm”.
Në shkurt të vitit 2023, Politico citoi një përfaqësues të Forcave të Armatosura të Ukrainës të thoshte se gjatë sulmit në Vuhledar, Brigada elitë 155 e Këmbësorisë Detare që i përkiste Flotës së Paqësorit pësoi humbje të mëdha. Më herët, në nëntor të vitit 2022, një marins i kësaj brigade raportoi humbje të mëdha në luftimet për Pavlovka në rajonin e Donetsk.
Sergej Avakjanac është 65 vjeç. Ai ishte komandant i Flotës së Paqësorit që nga viti 2012.
Flota Ruse e Paqësorit është një nga katër flotat kryesore të Marinës Ruse, me qendër në Vladivostok, në Lindjen e Largët të Rusisë. Ajo u themelua në vitin 1731. Flota është një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet gjeopolitike të Rusisë me vendet e tjera të rajonit, si Kina, Japonia, Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.