Qeveria çeke e ka bërë kreun e Kishës Ortodokse të Rusisë, patriarkun Kirill, personin e parë në listën e saj kombëtare të sanksioneve për shkak të mbështetjes së tij për pushtimin e Ukrainës, tha të mërkurën ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky.
Kirill, 76 vjeç, u rendit me emrin e tij civil Vladimir Mikhailovich Gundyayev në listën e sanksioneve, e cila është postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të Çekisë.
Kjo do të thotë se atij i ndalohet hyrja në Çeki, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe i ndalohet çdo transaksion financiar me çekët.
“Vërejtjet e tij të shpeshta publike në mbështetje të luftës në Ukrainë, duke justifikuar mizoritë e kryera nga trupat ruse atje, të gjitha këto janë prova të qarta që mund të gjenden publikisht”, tha Lipavsky në një konferencë për shtyp, shkruan Reuters.
Patriarku Kirill është një aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin dhe ka mbështetur fuqishëm luftën në Ukrainë, në të cilën dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.
27-vendet e BE-së në tërësi u përpoqën ta fuste Kirillin në listën e sanksioneve vitin e kaluar, por vendet anëtare nuk arritën të gjenin unanimitet për këtë çështje pasi Hungaria kundërshtoi përfshirjen e tij në listë.
Të martën, Kirill i cilësoi rusët që nuk arrijnë t’i shërbejnë vendit të tyre si “armiq të brendshëm” dhe e përshkroi patriotizmin si “virtyti më i madh”.