Krime, shuhet zjarri në depon e karburantit, i shkaktuar nga një sulm i mundshëm ukrainas

Bota

Krime, shuhet zjarri në depon e karburantit, i shkaktuar nga një sulm i mundshëm ukrainas

Më: 29 prill 2023 Në ora: 16:14
Foto nga vendi i ngjarjes

Forcat ukrainase me gjasë kanë kryer sulme me dronë në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Moska. Sulmi mbi një objekt magazinimi të karburantit ka shkaktuar një zjarr të madh në orët e para të mëngjesit të së shtunës, i cili sipas autoriteteve ruse tashmë është shuar. Zyratarët e Krimesë, të emëruar nga Moska, thonë se sulmi nuk ka shkaktuar viktima apo dëme të mëdha materiale. Ndërsa zyrtarët evropianë dhe ukrainas për financat që po takohen të shtunën në Stokholm e kanë përshendetur marrëveshjen e arritur për kufizimin e disa prodhimeve bujqësore ukrainase. Marrëveshja siguron një qëndrim të unifikuar evropian mbi importet e drithit ukrainas pasi disa vende të Evropës lindore, anëtare të BE-së, vendosen masa kufizuese të njëanshme.

Një zjarr në një objekt magazinimi karburanti në qytetin port të Krimesë, Sevastopol, i shkaktuar nga një sulm ukrainas me dron, është shuar, tha të shtunën guvernatori i emëruar nga Moska.

Në orët e para të mëngjesit, ndodhi një sulm i suksesshëm me dronë. Përpjekjet për shuarjen e zjarrit filluan menjëherë nga forcat e departamentit tonë të Ministrisë së Situatave të Emergjencave në qytetin e Sevastopolit. Zjarri tani është shuar”, tha guvernatori i Sevastopolit i emëruar nga Moska, Mikhail Razvozhaev.

Ai tha se nuk ka të lënduar dhe sipas informacioneve paraprake depoja është goditur nga dy dronë.

Incidenti nuk do të ndikojë në furnizimin e Sevastopolit me karburant. Këtu mbahej rezerva operative, e cila nuk përdoret në asnjë mënyrë në jetën e përditshme”, tha guvernatori i qytetit i emëruar nga Rusia, Mikhail Razvozhaev.

Sevastopoli, qytet në gadishullin e Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, ka qenë nën sulme të përsëritura ajrore që kur Rusia e filloi sulmin ndaj tërë Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Një zëdhënës i forcave të armatosura të Ukrainës tha se ai nuk kishte asnjë informacion se Kievi ishte përgjegjëse për sulmin e së shtunës.

Të premtën Rusia kreu sulme me raketa drejt qyteteve anembanë Ukrainës, ndërsa njerëzit flinin, duke vrarë të paktën 25 civilë. Këto janë sulmet e para ajrore në shkallë të gjerë në gati dy muaj.

Ukraina tha se gjatë këtyre sulmeve të paktën 23 civilë u vranë në qytetin qendror të Umanit dhe dy në qytetin juglindor të Dnipros. Disa prej viktimave ishin fëmijë.

Ndërkohp, zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të Ukrainës komentuan sot një marrëveshje të arritur të premtën, e cila i jep fund bllokimit të disa prodhimeve bujqësore ukrainase nga pesë vende anëtare të BE-së nga zona lindore e kontinentit.

Pasi BE-ja hoqi kufizimet e importit për fermat ukrainase vitin e kaluar me qëllim për të ndihmuar vendin të dërgojë prodhimin e tij të drithërave në botë dhe të kapërcejë bllokimin e Rusisë në Detin e Zi, disa tregjet lokale të disa vendeve lindore evropiane u përmbytën me importe ukrainase. Për këtë arsye disa prej tyre vendosen masa kufizuese duke rrezikuar qëndrimin e unifikuar evropian karshi Ukrainës e cila po përballet me agresionin rus nga shkurti i vitit të kaluar.

“Ne do të vendosim përkohësisht masa mbrojtëse për katër produktet bujqësore më të ndjeshme. Gruri, misri, farat e lulediellit janë në mesin e tyre dhe ne do të bëjmë hetime edhe për disa produkte të tjera. BE do të ofrojë një mbështetjeje financiare prej 100 milionë eurosh për fermerët në pesë shtetet anëtare lindore. Në këmbim të kësaj ato do të hiqnin kufizimet e tyre të njëanshme”, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian për Ekonomi, Valdis Dombrovskis.

Duke folur në Stokholm ku po takohen ministrat e financave të BE-së, ministri i financave i Ukrainës, Sergii Marchenko tha se ai e mirëpret marrëveshjen, pa të cilën ai kishte frikë se do të kishte një “efekt të dëmshëm në vendet e Lindjes së Mesme dhe afrikane, të cilat po vuajnë jashtëzakonisht për shkak të një bllokade të tillë”./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat