Lufta në Ukrainë, një i vdekur dhe tre të plagosur në Kherson nga bombardimet ruse

Bota

Lufta në Ukrainë, një i vdekur dhe tre të plagosur në Kherson nga bombardimet ruse

Më: 1 maj 2023 Në ora: 12:04
Ukrainë

Një person vdiq dhe tre të tjerë u plagosën sot për shkak të sulmeve me raketa ruse në rajonin ukrainas Kherson (në jug). Kështu njoftoi komanda ushtarake lokale. Forcat e Moskës hodhën raketa kundër objektivave në qytetet e Ukrainës në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë, forcat e Kievit pretenduan se kishin rrëzuar shumicën e raketave ruse.

Oleksandr Prokudin, kreu i administratës ushtarake të Khersonit, akuzoi ushtrinë ruse për shënjestrimin e “zonave të populluara” dhe “një ndërtesë publike në qendër të Khersonit”. “Një person ka vdekur dhe tre të tjerë, përfshirë një fëmijë, janë plagosur”, ka thënë Prokudin përmes Telegramit. Sipas tij, qyteti është bombarduar tetë herë brenda 24 orëve. Në rajonin e Dnipropetrovsk (lindje), një sulm raketor rus plagosi të paktën 25 njerëz, duke përfshirë tre fëmijë, njoftoi zyrtari Serhii Lysak përmes Telegram.

Sipas tij, në qytetin Pavlohrad “19 ndërtesa të larta, 25 banesa, 6 ndërtesa shkollash dhe parashkollore dhe 5 dyqane janë dëmtuar”.

Më herët, ushtria ukrainase njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës rrëzuan “pesëmbëdhjetë nga tetëmbëdhjetë” raketa të lëshuara nga avionët e Forcave Ajrore Ruse. “Rreth orës 02:30, pushtuesit rusë sulmuan duke përdorur bombardues strategjikë” dhe “lançuan 18 raketa lundrimi”, tha Valery Zaluzny, shefi i shtabit të përgjithshëm të mbrojtjes kombëtare, përmes platformës Telegram.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat