OKB-ja bisedon për krizën në Afganistan pa talibanët

Bota

OKB-ja bisedon për krizën në Afganistan pa talibanët

Më: 1 maj 2023 Në ora: 14:17
Foto ilustrim

Autoritetet talibane të Afganistanit do të mungojnë në bisedimet e udhëhequra nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), që do të nisin të hënën. Në këto negociata do të diskutohet se si të trajtohen sundimtarët e vendit në krizë dhe do të bëhet presion për heqjen e kufizimeve për gratë që punojnë dhe pjesëmarrjen e vajzave në shkolla.

Të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Rusia, si dhe donatorët kryesorë të ndihmave nga Evropa dhe fqinjët si Pakistani, janë në mesin e përfaqësuesve nga rreth 25 vende dhe grupeve të thirrura në negociatat dyditore nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Megjithatë, qeveria talibane nuk është ftuar në bisedimet e Dohas dhe çështja e njohjes së administratës është ngritur si shqetësim përpara këtij takimi.

Një grup i vogël grash afgane organizuan një marsh proteste në fundjavë në Kabul për ta kundërshtuar çdo lëvizje për t’i njohur sundimtarët që u kthyen në pushtet në gusht të vitit 2021.

Në një letër të hapur drejtuar pjesëmarrësve në takimin e Dohas, të publikuar më 30 prill, një koalicion i grupeve të grave afgane tha se ishin “të indinjuara” që ndonjë vend do ta shqyrtonte si mundësi formimin e lidhjeve me qeverinë që Kombet e Bashkuara e quajnë “autoritet de fakto”.

OKB-ja dhe SHBA-ja kanë këmbëngulur se njohja e qeverisë nuk është në planet e këtij takimi.

Frika e grupeve të të drejtave është nxitur nga zëvendëssekretarja e përgjithshme e OKB-së, Amina Mohammed, e cila tha muajin e kaluar se takimi i Dohas mund të sjellë “hapa të vegjël” që çojnë në një “njohje parimore” të qeverisë talibane.

OKB-ja tha se komentet ishin keqinterpretuar. Asnjë vend nuk ka krijuar lidhje formale me administratën afgane dhe anëtarësimi në OKB mund të vendoset vetëm nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Përpara mbërritjes së Guterres në Doha, nga zyra e tij u tha se takimi “ka për qëllim të arrijë një mirëkuptim të përbashkët brenda komunitetit ndërkombëtar se si të merren me talibanët” për të drejtat e grave dhe vajzave, qeverisjen gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit dhe trafikut të drogës.

“Çdo lloj njohjeje e talibanëve është krejtësisht jashtë tryezës”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, javën e kaluar.

Pavarësisht se nuk u ftua në takim, kreu i zyrës përfaqësuese të talibanëve në Doha, Sohail Shaheen, tha se është takuar me anëtarë të delegacioneve britanike dhe kineze.

Ai tha se bisedimet e OKB-së ishte në mesin e temave të diskutuara.

Që nga rrëzimi i një qeverie të mbështetur nga vendet e huaja në vitin 2021, autoritetet talibane kanë imponuar një version të ashpër të ligjit të sheriatit, që Kombet e Bashkuara e kanë etiketuar “aparteid me bazë gjinore”.

Ndonëse të ndara mes vete për shumë tema, fuqitë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u bashkuan të enjten për t’i dënuar kufizimet ndaj grave dhe vajzave afgane dhe u bënë thirrje të gjitha vendeve që të kërkojnë “një ndryshim urgjent” të politikave në Afganistan.

Megjithatë, diplomatët dhe vëzhguesit thonë se takimi i Dohas nxjerr në pah problemin me të cilin përballet komuniteti ndërkombëtar lidhur me Afganistanin, të cilin OKB-ja e konsideron krizën e saj më të madhe humanitare pasi që miliona njerëz varen nga ndihmat ushqimore.

Amina Mohammed tha se ishte “e qartë” se autoritetet talibane duan njohje. Lidhjet formale të OKB-së do ta ndihmonin qeverinë t’i rimarrë miliarda dollarët e sekuestruara jashtë vendit pasi talibanët morën pushtetin.

Por, diplomatë nga disa vende të përfshira në bisedimet e Dohas thanë se kjo nuk do të ishte e mundur derisa të mos ketë një ndryshim në politikat afgane për të drejtat e grave. Ministria e Jashtme afgane tha, pas votimit të javës së kaluar në OKB, se “diversiteti duhet të respektohet dhe jo të politizohet”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat