Çfarë e ka bërë mbrojtjen ajrore ukrainase kaq të padepërtueshme, pyesin komandantët ushtarakë rusë. Vetëm në muajin maj, Rusia nisi tetë sulme me raketa në kryeqytetin ukrainas. I fundit u krye në orët e para të mëngjesit të së martës dhe përfshinte të paktën 18 raketa të ndryshme dhe një tufë me drone.
Megjithatë, Kievi pretendon se ka shpëtuar “vetëm me një gërvishtje”, duke mohuar se raketat dhe dronët kanë goditur objektivat e tyre.
Ky mund të jetë një ekzagjerim – zyrtarët amerikanë besojnë se sistemi i mbrojtjes Patriot është dëmtuar – por, ekspertët thonë se është e qartë se diçka e jashtëzakonshme po ndodh.
Deri kohët e fundit, shumica e analistëve, madje edhe zyrtarët amerikanë të mbrojtjes, nuk ishin të bindur se mbrojtja ajrore ukrainase mund t’i zmbrapste sulmet ajrore ruse.
Në muajin prill, dokumentet e qeverisë amerikane që rrodhën në publik zbuluan se ukrainasve po iu mbarojnë raketat e mbrojtjes ajrore me rreze të mesme të epokës sovjetike.
Alexander Rodnyansky, këshilltar ekonomik i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, së fundmi pranoi për CNN se mbrojtja ajrore e vendit të tij “nuk është shumë mirë”.
Këto vlerësime pasuan sulmin e 9 marsit, në të cilin Rusia gjuajti 84 raketa në qytetet kryesore anembanë shtetit ukrainas.
Me atë rast, edhe Kievi pranoi se gjashtë raketa balistike Kinzhal arritën t’i shpëtonin mbrojtjes kundërajrore.
Pra, çfarë ka ndryshuar në vetëm disa javë?
Përgjigja e qartë, të paktën në rajonin e Kievit, është vendosja e sistemeve të mbrojtjes ajrore amerikane Patriot, të cilat arritën në muajin e kaluar në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania dërguan nga një bateri Patriot në Ukrainë.
Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), raketat Patriot mund të godasin aeroplanë me lartësi të lartë dhe të mesme, raketa lundrimi dhe disa raketa balistike.
Patriotët kanë një reputacion kaq të fuqishëm sa që Rusia u përpoq menjëherë t’i shkatërronte ata.
Artikullin plotë mund ta lexoni në këtë link