LIVE: Lufta në Ukrainë/ Putin konfirmon se armët e para bërthamore janë vendosur në Bjellorusi

Bota

LIVE: Lufta në Ukrainë/ Putin konfirmon se armët e para bërthamore janë vendosur në Bjellorusi

Nga: Bota sot Më: 16 qershor 2023 Në ora: 07:52 Përditësuar në ora: 20:47 më 16.06.2023
Vladimir Putin

Zelensky: Nuk do të ketë negociata derisa rusët të tërhiqen nga toka e okupuar ukrainase

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se çdo bisedë paqeje me Rusinë është e mundur vetëm pas tërheqjes së trupave ruse nga territoret e pushtuara.

“Sot, e kam thënë qartë në mënyrën të përsëritur në takimin tonë se të lejosh çdo negociatë me Rusinë tani që okupatori është në tokën tonë, do të thotë të ngrish luftën, të ngrish dhimbjen dhe vuajtjet”, tha Zelensky në një konferencë shtypi pas takimit me disa a liderë afrikanë në Kiev.

“Është e qartë se Rusia tani po përpiqet t’u kthehet taktikave të vjetra primitive të mashtrimit. Por mashtrimi i botës në Rusi nuk do të funksionojë më. Është definitivisht e pamundur të mashtrosh Ukrainën.

Theksoj edhe një herë: Ne kemi nevojë për paqe të vërtetë, dhe për këtë arsye duhet një tërheqje e vërtetë e trupave ruse nga e gjithë toka jonë e pavarur”, tha ai.

Lufta në Ukrainë, Putin: Rusia ka transferuar armët e para bërthamore në Bjellorusi

“Është një fakt. Armët e para bërthamore kanë mbërritur në Bjellorusi”, ka thënë presidenti rus Vladimir Putin gjatë fjalimit të tij në Shën Petersburg.

Mediat e huaja shkruajnë se Moska kishte njoftuar se do të vendoste rregullisht armë bërthamore në Bjellorusi.

Lukashenko, një aleat i ngushtë i Putinit,ka thënë për mediat se vendi i tij ka shumë objekte të ruajtjes së armëve bërthamore të mbetura nga epoka sovjetike dhe ka restauruar pesë ose gjashtë prej tyre.

Armët bërthamore mund të përshkruhen si armë bërthamore “me rendiment të ulët” të destinuara për t’u përdorur në fushat e betejës dhe jo kundër qyteteve, për shembull.

Megjithatë, ato shkaktojnë shpërthime radioaktive dhe efekte të tjera vdekjeprurëse përtej dëmit të shkaktuar nga vetë shpërthimi.

Kokat e luftës mund të lëshohen përmes raketave, silurëve dhe bombave të gravitetit nga forcat detare, ajrore ose tokësore, madje mund të transportohen me rrugë në një zonë dhe të shpërthehen në vend.

Kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, Rusia kishte rreth 22,000 TNË ndërsa Shtetet e Bashkuara kishin rreth 11,500.

Shumica e këtyre armëve, pas nënshkrimit të marrëveshjes së mospërhapjes, supozohet se janë çmontuar ose janë në pritje të çmontimit.

Zelensky: Nëse Kievi humbet, SHBA-ja detyrohet të zgjedhë mes luftës ose kolapsit të NATO-s

Nëse Ukraina humbet ndaj Rusisë, SHBA-së mund t’i duhet të zgjedhë midis luftës me Moskën ose “kolapsit të NATO-s”.

Kështu u shpreh presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për NBC Neës.

“Nëse Ukraina humbet, nëse Rusia pushton Ukrainën, Rusia do të vazhdojë të shkojë drejt vendeve baltike”, duke nisur kështu luftën “me një nga vendet e NATO-s” , tha presidenti ukrainas.

“Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin kolapsin e NATO-s ose hyrjen në luftë”, shtoi Zelensky.

Putin: U detyrova ta pushtoj Ukrainën

Vladimir Putin i është kthyer propagandës duke fajësuar Ukrainën për pushtimin e Rusisë.

Pavarësisht aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe mbështetjes së forcave separatiste pro-ruse në Donetsk, Putini e cilësoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës si detyrim.

“Lufta në Ukrainë filloi nga regjimi ukrainas me mbështetjen e sponsorëve të tyre perëndimorë në vitin 2014. Bombardimet filluan atëherë në Donbas – kjo është luftë. Unë u detyrova të përdor forcat e armatosura në përgjigje të kërkesës së Donjeckut për të ndaluar këtë operacion të armatosur”, ka thënë Putini, shkruan Skynews.

Putin shtoi se vendet perëndimore vazhdojnë me “përpjekjet e tyre maksimale për të siguruar që Rusia të ketë një humbje taktike në fushë”.

Ai pretendon se Ukraina nuk ka parë ndonjë sukses në fushën e betejës dhe ai nuk ka “nuk ka dyshim” se ende më shumë pajisje ushtarake perëndimore do të shkatërrohen në vend.

Ushtarët ukrainas të cilët po operonin dronin me eksploziv sulmojnë dy ushtarë rusë në llogore

Disa pamje të shpërndara në rrjet tregojnë trupat ukrainase duke sulmuar llogoret ruse me eksploziv përmes një droni të tipit FPV.

Operacioni raportohet të jetë kryer nga Njësia Fatum pjesë e Brigadës së Tretë Sulmuese të Ukrainës.

Sipas videos, dy ushtarë rusë po ruanin pozicionin e tyre në llogore kur droni i tipit FPV që po operohej nga ushtarët ukrainas iu erdhi në kanal dhe iu shpërtheu brenda.

Droni FPV shpërtheu në llogore në mënyrë të ngjashme me një dron kamikaz.

Përveç kësaj, llogorja në vijën e frontit nuk po ruhej vetëm nga dy ushtarë të forcave ruse por edhe nga disa të tjerë.

Nuk dihet se në cilën zonë janë xhiruar pamjet, por ushtria ukrainase ka filluar kundërofensivën e saj.

Ukrainasit pretendojnë se 150 fëmijë të tjerë u dërguan ilegalisht në Rusi

Ukraina pretendon se 150 fëmijë të tjerë u dërguan nga rajoni i pushtuar i Luhanskut në Rusi.

Qendra Kombëtare e Rezistencës së Ukrainës njoftoi se më 8 qershor, fëmijët nga distrikti Starobilsk i Luhansk u dërguan në dy qendra në rrethin Prikuban të Republikës Ruse të Karachay-Cherkess.

Aty thuhet se 19,393 fëmijë deri më tani janë transferuar ilegalisht në Rusi nga territoret e okupuara ukrainase, duke cituar fjalët e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Në muajin mars, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arrest për presidentin rus, Vladimir Putin, raporton skynews.

Paneli i gjyqtarëve ra dakord se “ka arsye të arsyeshme” për të besuar se lideri rus dhe komisionerja e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseevna Lvova-Belova, ishin përgjegjës për “depërtimin e paligjshëm” të fëmijëve ukrainas.

Qendra Kombëtare e Rezistencës tha të enjten se 750 fëmijë nga Luhansk pritet të mbërrijnë këtë muaj në dy qendra në Karachay-Cherkess.

Rusia “shi raketash” në Kiev, Ukraina: Bombardimet janë mesazh! Rusia do më shumë luftë, jo paqe

Sulmi me raketa ruse në Kiev, ndërsa liderët afrikanë ndodheshin në një vizitë që synonte “ndërtimin e besimit” me perspektivën e çuarjes drejt paqes të Rusisë dhe Ukrainës, ka lënë një impakt të madh duke vënë në dyshim angazhimin e Moskës për t’i dhënë fund konfliktit.

Raketat u hodhën sot ndërsa një delegacion i liderëve afrikanë vizitoi kryeqytetin në një mision paqeje, duke i detyruar ata të strehoheshin në një strehë për bomba.

Forca ajrore ukrainase tha se rrëzoi 6 raketa lundrimi ruse Kalibr, 6 raketa balistike hipersonike Kinzhal dhe dy dronë zbulimi.

Shtëpitë në periferi të rajonit të Kievit, kilometra larg nga qyteti u shkatërruan.

“Putini “ndërton besimin” duke nisur sulmin më të madh raketor në Kiev në javët e fundit, pikërisht në mes të vizitës së liderëve afrikanë në kryeqytetin tonë”– tha ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, duke shtuar se:” Raketat ruse janë një mesazh për Afrikën: Rusia dëshiron më shumë luftë, jo paqe.”

Vladimir Putin drejt skenarit ekstrem, ja cilin vend do të sulmojë të parin me bomba atomike, si rrezikon të asgjësohet i gjithë njerëzimi nga armët bërthamore

usia i ka përdorur gjithmonë armët bërthamore në agresionin e saj kundër Ukrainës, për të kërcënuar Perëndimin. Ato duket se kanë humbur funksionin parandalues që kishin gjatë Luftës së Ftohtë dhe tani duken si një mjet lufte, ende jo aktiv, por mundësia e përdorimit të tyre nuk përjashtohet. Që në fillim të agresionit, në shkurt të vitit të kaluar, presidenti rus Vladimir Putin nisi këtë formë të luftës speciale kundër Ukrainës dhe Perëndimit duke urdhëruar që armët bërthamore të viheshin në gatishmëri të lartë. Ndaj, së fundmi ka vendosur një pjesë të arsenalit të saj bërthamor në Bjellorusi, armë taktike që sipas diktatorit bjellorus janë tre herë më të fuqishme se ato atomike, të hedhura nga SHBA në Hiroshima dhe Nagasaki në 1945. Lukashenko tha senuk përjashtohet përdorimi i tyre. Kundërofensiva ukrainase, që filloi natën e 4-5 qershorit, nuk e befasoi Moskën, por ekspozoi edhe një herë një sërë dobësish të ushtrisë ruse. Sulmet ukrainase sugjerojnë se qëllimi është marrja e Krimesë, të cilën Putin e konsideron pjesë të territorit rus. Humbja e Krimesë konsiderohet arsye e mjaftueshme që Cari i Kremlinit të vendosë të përdorë armë taktike bërthamore,Vitin e kaluar, kompania analitike amerikane RAND e renditi përgjigjen bërthamore ruse si kërcënimin më të madh në skenarët e zhvillimit të mundshëm të agresionit rus dhe në atë skenar opsioni më i keq, të cilin ata nuk e përjashtojnë, është sulmi bërthamor ndaj Polonisë, anëtares së NATO, e para në listën e “shënjestrave”.

“Dhuratë nga Zoti”

RT është një gazetë që shkruan atë që mendon Kremlini. Të mërkurën, botoi një tekst autori të Sergej Karaganovit me titull: “Duke përdorur armë bërthamore, Rusia mund ta shpëtojë njerëzimin nga një katastrofë globale”. Profesor Karaganov është një shkencëtar i njohur rus që merret me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e lidhur me Kremlinin. Ai është i afërt me Putinin, i cili dëgjon këshillat e tij dhe Karaganov i formëson ato sipas dëshirës së Putinit. Sipas Karaganov, vetëm një fitore e plotë në Ukrainë është një opsion që sjell siguri. Ai thotë se balanca e re e fuqisë drejtohet nga Kina, pjesërisht nga India ekonomikisht, "dhe historia e ka emëruar Rusinë për rolin e mbështetjes strategjike ushtarake". Profesori rus që Putin dëgjon pretendon se amerikanët duan të shkatërrojnë Rusinë për të dobësuar "superfuqinë e re alternative, Kinën".  “Shfaqja e armëve bërthamore është rezultat i ndërhyrjes së të Plotfuqishmit, i cili, i neveritur nga fakti se njerëzimi ka nisur dy luftëra botërore brenda një brezi, që kushtojnë dhjetëra miliona jetë, na dha armët e Harmagedonit për t'u treguar atyre që kanë humbën frikën e ferrit se ai ekziston”, shkruan ai. Karaganov kujton traditën ruse që nga Dostojevski e më herët, për rolin historik të Rusisë në shpëtimin e njerëzimit, që sipas tij duhet të bëhet duke thyer vullnetin e Perëndimit për të inicuar agresion.

Gati për katastrofën

Për këtë qëllim, hapi i parë, shkruan Karaganov, është ulja e pragut për aktivizimin e armëve bërthamore. Frika më e madhe e RAND-it mund të bëhet realitet: "Gjërat mund të shkojnë aq larg sa të paralajmërojnë bashkatdhetarët dhe të gjithë njerëzit me vullnet të mirë që të largohen nga vendbanimet e tyre pranë objekteve që mund të bëhen objektiv i sulmeve bërthamore në vendet që mbështesin drejtpërdrejt regjimin e Kievit", ka parlajmëruar ajo. Sipas Karaganov, kjo është një zgjedhje moralisht e tmerrshme. “Ne do të përdorim armët e Zotit, duke e dënuar veten me humbje të rënda shpirtërore”, thotë ai. Por nëse kjo nuk bëhet, jo vetëm që Rusia mund të marrë fund, por me shumë mundësi do të zhduket i gjithë qytetërimi njerëzor. “Sa bukur është për veshët e Putinit, shpëtimtarin e njerëzimit, dhe për këtë duhet vetëm të hedhim disa bomba bërthamore mbi Poloninë dhe ndonjë anëtar tjetër të NATO-s. Dhe atëherë bota krijohet sipas masës dhe vullnetit të tij. Dhe presidenti kinez Xi Jinping do të ketë frikë nga Putin”, përmbyll Karaganov. Tani Rusia duket se është  e vetme kundër gjithë botës. Opsioni bërthamor është ende në lojë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë.

Irani boshatis “arkat” e Putinit, si po ia merr të gjitha paratë për korridorin që do të rivalizojë Kanalin e Suezit

Që nga mesi i vitit 2022, Irani është bërë mbështetësi kryesor ushtarak i Rusisë, sipas John Kirby-t të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA. Vendimi i Iranit për të ndihmuar Rusinë në luftën kundër Ukrainës pasqyroi zgjerimin e aleancës strategjike me Moskën, e cila tani duket se po kalon në një fazë tjetër.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij iranian Ebrahim Raisi duket se po konkretizojnë dalë-ngadalë planet ndërtimin e një linje hekurudhore iraniane si pjesë e një Korridori transporti ndërkombëtar Veri-Jug. Hekurudha Rasht-Astara shihet si një lidhje e rëndësishme në korridor, që synon të lidhë Indinë, Iranin, Rusinë, Azerbajxhanin dhe vende të tjera nëpërmjet hekurudhave dhe detit, një rrugë që Rusia thotë se mund të rivalizojë Kanalin e Suezit si rrugë kryesore tregtare globale. Por, Irani nuk është në gjendje të financojë projektin dhe korridori nuk do të mund të funksionojë pa investime.

Prandaj, Rusia do të duhet të investojë vazhdimisht: në rrugë, porte, depo dhe infrastrukturë shtesë, duke dhënë një kredi 1.3 miliardë euro për Iranin. Por, edhe nëse gjithçka shkon sipas planit, hekurudha Rasht-Astara, 162 kilometra e gjatë, do të bëhet funksionale vetëm në vitin 2027.

Bashkëpunimi nëpërmjet kredive po bëhet shtylla kurrizore e marrëdhënieve ruso-iraniane. Por duke pasur parasysh pasigurinë financiare të Teheranit dhe krizën e vazhdueshme politike, është e dyshimtë që ato kredi do të shlyhen ndonjëherë. Megjithatë, Teherani e di mirë situatën në të cilën ndodhet Rusia tani. Ajo e dëshiron dhe njëkohësisht ka nevojë për Korridorin Veri-Jug dhe askush tjetër veç saj nuk është i gatshëm të investojë në të.

NATO-ja shqyrton mënyrat për të forcuar lidhjet me Ukrainën

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s u mblodhën të enjten për të diskutuar marrëdhëniet me Kievin zyrtar dhe se si do të veprohet në të ardhmen, pasi lufta e Rusisë kundër Ukrainës pengon aspiratat e saj për t'iu bashkuar së shpejti Aleancës më të madhe të sigurisë në botë.

Ministrat kanë planifikuar të marrin pjesë në një mbledhje shtesë në selinë e NATO-s, të njohur si Grupi i Kontaktit në Ukrainë i udhëhequr nga SHBA-ja.

Ky forum frekuentohet në mënyrë rutinore nga aleatët e Ukrainës në një përpjekje për të siguruar burime ushtarake, si armë dhe municione për të ndihmuar Kievin në luftimin e pushtimit rus.

Takimi i NATO-s realizohet një muaj përpara se presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologët e tij të mblidhen për një samit në Lituani, në një paraqitje simbolike të mbështetjes për Ukrainën.

Ata pritet të nënvizojnë vendosmërinë e tyre për të vepruar nëse presidenti rus, Vladimir Putin, përpiqet të zgjerojë luftën drejt Perëndimit.

NATO-ja ra dakord në vitin 2008 që Ukraina do t'i bashkohej organizatës një ditë, por nuk caktoi një datë që ajo të fillonte bisedimet e anëtarësimit.

Me fillimin e luftës, Ukraina aplikoi për "aderim të përshpejtuar" në NATO, më 30 shtator. Me gadishullin e Krimesë të aneksuar dhe trupat ruse dhe separatistët pro-Moskës që mbajnë pjesë të jugut dhe lindjes, nuk është e qartë se si do të duken kufijtë e Ukrainës në të ardhmen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se nuk ka konsensus për anëtarësimin e vendit përderisa është në luftë me Rusinë.

"Ne pajtohemi se detyra më urgjente tani është të sigurohemi që Ukraina të mbizotërojë si një komb sovran i pavarur, sepse nëse Ukraina nuk mbizotëron dhe mund të vazhdojë si një shtet demokratik në Evropë, nuk ka asnjë çështje anëtarësimi për t'u diskutuar", tha ai, përpara takimit.

Stoltenberg tha se ai pret që Aleanca prej 31-vendesh "të bjerë dakord për një program shumëvjeçar ku ne ndihmojmë për të lëvizur Ukrainën në kalimin nga standardet, pajisjet, procedurat, doktrinat e vjetra në standardet e NATO-s, dhe të bëhet plotësisht e ndërveprueshme me NATO-n".

NATO-ja nuk ka prezencë zyrtare në Ukrainë dhe si organizatë ofron vetëm mbështetje jovdekjeprurëse për Kievin, megjithëse aleatët individualisht e furnizojnë me armë dhe municione.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat