LIVE: Rusia gjakatare, sulmon Ukrainën, vret dy persona - Mbërritja e Prigozhin në Bjellorusi alarmon shtetet baltike!

Bota

LIVE: Rusia gjakatare, sulmon Ukrainën, vret dy persona - Mbërritja e Prigozhin në Bjellorusi alarmon shtetet baltike!

Nga: BOTA SOT Më: 27 qershor 2023 Në ora: 07:10 Përditësuar në ora: 11:20 më 27.06.2023
Sulmi rus në Kramatorsk, Dontesk

Zelensky shprehet optimist për përparimin e kundërofensivës ukrainase

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, është shprehur optimist për përparimin e ushtrisë së tij në kundërofensivë, duke e quajtur 26 qershorin si “ditë të mirë”.

“Ushtarët tanë, pozicionet tona ku kemi avancuar, janë aktive në të gjitha drejtimet në front të luftës”, ka thënë ai.

“Sot, ushtarët tanë kanë avancuar në të gjitha drejtimet, është ditë e mirë. U dëshiroj djemve më shumë ditë si kjo”.

Të hënën, Zelensky i ka vizituar ushtarët që janë duke luftuar në pjesën lindore të shtetit, dhe u ka ndarë atyre medalje.

Vendi i saktë i vizitës nuk dihet, mirëpo zyra e Zelenskyt ka thënë se i ka takuar disa njësite në rajonin Donjeck.

Zelensky ka thënë përmes një video-adresimi se është takuar me komandantë ushtarakë dhe ka maarrë “shumë vendime operacionale” bazuar në diskutime.

Ai ka thënë se një vendim ka të bëjë me forcim të marinës dhe gjithë forcave të mbrojtjes.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka thënë në përditësimin e fundit më 27 qershor, se në 24 orët e fundit është raportuar për 38 përleshje në Liman, Bahmut dhe Marianka – të gjitha në pjesën perëndimore të rajonit Donjeck.

Ushtria ukrainase është raportuar të ketë kryer sulme ajrore edhe kundër pozicioneve ruse në rajonet Zaporizhja dhe Herson.

Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar këto informacione në mënyrë të pavarur.

E përditshmja amerikane New York Times ka raportuar më 26 qershor se zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se faza fillestare e kundërofensivës ukrainase është shumë e ngadalshme.

Zelensky i ka thënë gazetës së kundërofensiva nuk është “film Hollivudi” dhe se “ne do të avancojmë në fushëbetejë, sipas mënyrës që e konsiderojmë më të mirën”.

Skenarët e frikshëm: Fundi i Wagner mund të jetë i tmerrshëm, ja “ferri” që e pret Prigozhin, zbardhen planet mizore të Putinit

Presidenti rus Vladimir Putin sapo i ka mbijetuar sfidës së tij më të madhe ndonjëherë, shkaktuar nga një njerëzit më besnikë të tij, Yevgeny Prigozhin. Megjithatë dy njerëzit protagonist të kësaj drame ruse, kanë zgjedhur të mos jenë në qendër të vëmendjes. Udhëheqësi nuk iu drejtua vendit të tij për shumë orë, që nga fjalimi i zymtë të shtunën në mëngjes, në kulmin e kryengritjejes. Prigozhin gjithashtu nuk shihej askund. Kreu i grupit ushtarak privat u pa për herë të fundit duke lënë qytetin jugor të Rostov-on-Don vonë të shtunën, pasi anuloi befas marshimin e trupave të tij në Moskë. Interesant është edhe një postim në Telegram, një foto e Prigozhin që mban gishtin në buzë, bashkë me një frazë që ukrainasit e përdorin për kundërsulmin e tyre. Por çfarë po ndodh me Prigozhin? Ashtu si gjithçka në Rusi tani, edhe kjo është e paqartë.

Dy emra të rinj

Mediat ruse vazhdojnë të spekulojnë për detajet e marrëveshjes midis Prigozhin dhe Putin, e cila u ndërmjetësua nga diktatori bjellorus Alexander Lukashenko. Megjithatë, Instituti për Studimin e Luftës sjell në vëmendje dy emra të rinj, shefin e zyrës së presidentit rus, Anton Vain, dhe ambasadorin rus në Bjellorusi, Boris Grizlov. Ata dyshohet se luajtën një nga rolet kryesore në ngjarjet e së shtunës, kur tanket Wagner ndaluan më pak se 300 kilometra nga Moska. Sipas Meduza dhe ISW, Prigozhin u përpoq të kontaktonte administratën e presidentit rus rreth mesditës të së shtunës, por Putin refuzoi çdo kontakt. Megjithatë, shefi i Wagner-it mesa duket e kapi paniku kur kuptoi se nuk mori mbështetjen që priste dhe shumë shpejt filloi negociatat me Lukashenkon, Vain dhe Grizlovin.

Ndryshime në ushtri

Prigozhin ishte gjithashtu në panik nga fakti se ushtarët e tij kishin vrarë pilotët dhe avionët e forcave ushtarake ruse dhe kishte frikë se Putini do ta bënte atë përgjegjës për atë akt.Portali Meduza, duke cituar disa burime ruse, thekson se Putini po mendon edhe ndryshime në Ministrinë e Mbrojtjes në fund të fundit. Disa kanë shkuar aq larg sa sugjerojnë se kjo është pjesë e marrëveshjes me Prigozhin. Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjenerali Valery Gerasimov, nuk e panë dhe nuk dëgjuan njëri-tjetrin deri në momentin kur Prigozhin hyri në veprim, dhe tani ka spekulime se Alexei Dyumin, guvernatori aktual i Rajoni i Tulës, mund të zëvendësojë Shoigu. Nëse ky informacion është i saktë, do të ishte një fitore e madhe për kreun e Wagner. Por fjalimi i djeshëm nga kreu i Kremlinit e “varrosi” këtë hipotezë. Siç shkruan prestigjiozja amerikane, “CNN”, tani ka një zgjedhje ekzistenciale për elitën ruse, midis regjimit të lëkundur të presidentit dhe "Frankensteinit” që kthehet kundër krijuesve të tij".

Vrasja e Prigozhin

Dhe është gjithashtu momenti i zgjedhjes për ushtrinë, vazhdon CNN, duke pyetur se ku janë forcat speciale të FSB-së: "Të shkatërruar nga lufta ose me pak dëshirë për t'u përballur me shokët e armatosur dhe me përvojë të Wagner?". Prigozhin mund të mos fitojë, por Putini do të dalë i dobësuar dhe mund të veprojë në mënyrë të paarsyeshme për të provuar forcën e tij dhe është e pashmangshme që do të ketë trazira dhe ndryshime të mëtejshme. Megjithatë, siç shkruan Jacopo Iacoboni, edhe nëse Putin është dobësuar shumë pas revoltës së Prigozhinit, ai ka fituar kohë. Në një postim të publikuar në profilin e tij në Twitter, Iacobini tha se kjo është fiks "koha kur diçka e keqe mund t'i ndodhë Prigozhin". Në fakt, teksa marshonin drejt Moskës, presidenti rus dha urdhër të "neutralizonin", pra të vrisnin Prigozhin, para se të binte dakord për një marrëveshje me drejtuesin e mercenarëve. Ish-shefi i CIA-s amerikane dhe gjenerali amerikan, David Petraeus nuk e përjashton mundësinë që Putin ta urdhërojë sërish, vrasjen e Prigozhin, në një moment të dytë. Ai e ka këshilluar shefin e ushtrisë mercenare “Wagner”, të bëjë kujdes “nga dritaret e hapura”, duke bërë kështu ironi me vdekjet në rrethana të mistershme të zyrtarëve rusë, pasi kanë shfaqur hapur kritikat ndaj regjimit të presidentit Vladimir Putin. S’do ishte çudi që Prigozhin të kishte të njëjtin fat.

Mediat ruse: Kampet e Wagner-it po ndërtohen në Bjellorusi

Kampet për grupin Wagner po ndërtohen në territorin e Bjellorusisë, shkroi gazeta e pavarur ruse e lajmeve Verstka. Gazeta raportoi se një kamp ushtarak për 8,000 luftëtarë është duke u ndërtuar pranë Asipovich në Mogilev Oblast, rreth 200 kilometra nga kufiri ukrainas ndërsa priten të ndërtohen dhe të tjerë.

Sipas burimeve të Verstka, punëtorëve iu dhanë detyra të ndërtonin një kamp me një sipërfaqe prej 24,000 metrash katrorë “shumë shpejt” nën urdhrat e autoriteteve.

Media shkroi gjithashtu se anëtarët e familjes së kontraktorëve të Wagner konfirmuan se luftëtarët po dislokohen në Bjellorusi.

Më 23 qershor, themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, nisi një rebelim të armatosur kundër qeverisë ruse. Grupi mercenar pushtoi Rostovin dhe marshoi drejt Moskës përpara se të tërhiqej papritur kryengritjen vonë më 24 qershor.

Kreu i Wagner: Nuk kishim ndërmend të rrëzonim qeverinë në Rusi

Udhëheqësi mercenar rus, i cili udhëhoqi një rebelim që pothuajse arriti në Moskë, deklaroi se forcat e tij nuk kishin për qëllim të përmbysnin qeverinë ruse dhe kishin demonstruar dobësitë në sigurinë ruse.

Prigozhin tha se luftëtarët e tij e kishin ndërprerë fushatën e tyre për të shmangur gjakderdhjen, shkruan Reuters.

“Ne shkuam në një formë demonstrate, proteste, jo për të rrëzuar qeverinë e vendit,” theksoi ai.

Marshi ynë tregoi shumë gjëra që diskutuam më herët: problemet serioze me sigurinë në vend,” shtoi Prigozhin.

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të shpallin një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të shpallin sa më shpejt një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë deri në 500 milionë dollarë, duke treguar se vendosmëria e saj për të ndihmuar Ukrainën të luftojë Rusinë nuk u pengua nga tentativa për kryengritje gjatë fundjavës mes luftëtarëve rusë.

Paketa e ndihmës ushtarake do të përfshijë automjete tokësore ndërsa Ukraina po shtyn kundërsulmin e saj , thanë dy zyrtarë amerikanë.

Pritet që të përfshihen janë 30 automjete luftarake Bradley dhe 25 transportues të blinduar të personelit Stryker.

Si pjesë e paketës së ndihmës, Ukraina do të marrë municione për sistemet raketore të artilerisë së lëvizshmërisë së lartë ( HIMARS ), armë antitank përfshirë Javelins dhe municione për sistemet kundërajrore Patriot dhe Stinger, sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti.

Qeveria e re bullgare shpreh mbështetjen për Kievin, miraton ndihmë ushtarake për Ukrainën

Qeveria e re në Bullgari ka miratuar pakon e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën, njoftoi Këshilli i Ministrave më 26 qershor.

Paketa e re e ndihmës u miratua në përputhje me vendimin e Parlamentit bullgar e dhjetorit të vitit 2022.

Deri pak kohë më parë, presidenti Rumen Radev, dhe Qeveria në detyrë e emëruar nga ai, kishin kundërshtuar dërgimin e pakos së re me ndihmë ushtarake, por edhe që municionet dhe armët që prodhohen në Bullgari të shkonin në Ukrainë.

Këshilli i Ministrave i Bullgarisë tha se pakoja e ndihmës është konform pakos së dërguar në fund të vitit 2022.

Me ofrimin e kësaj ndihme, stoqet e forcave të armatosura të Bullgarisë nuk do të dëmtohen”, tha po ashtu Qeveria.

Se çfarë lloje armësh do t’i dërgohen Ukrainës nuk është bërë e ditur. Por, javën e kaluar, ministri i ri i Mbrojtjes, Todor Tagarev, i tha Radios Evropa e Lirë se paketa e re e ndihmës ushtarake do të përfshijë municione, të cilat nëse nuk përdoren tani do të dalin jashtë përdorimit brenda disa ditësh.

Bullgaria është një prej shteteve në Evropën Lindore që ka stoqe dhe prodhon mocione për armët e epokës sovjetike, që ushtria ukrainase i përdor.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, disa parti, por edhe presidenti Rumen Radev kanë kundërshtuar dërgimin e ndihmës në Ukrainë, duke argumentuar se kjo e fut Bullgarinë në luftë.

Australia do të sigurojë më shumë automjete të blinduara për Ukrainën

Qeveria australiane do të sigurojë një paketë të re prej 110 milionë dollarësh Australianë (73.5 milionë dollarë) për Ukrainën.

Duke përfshirë 70 automjete ushtarake për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus, tha kryeministri Anthony Albanese.

Angazhimet e reja e çojnë kontributin total të Australisë për Ukrainën në 790 milionë dollarë, përfshirë 610 milionë dollarë në mbështetje ushtarake, që nga fillimi i konfliktit në shkurt 2022.

“Kjo mbështetje shtesë do të bëjë një ndryshim të vërtetë, duke ndihmuar popullin ukrainas që vazhdon të tregojë guxim të madh përballë luftës së paligjshme, të paprovokuar dhe imorale të Rusisë,” tha Albanese gjatë një konference për media në Canberra.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat