LIVE: “Rusia është më keq ekonomikisht; është edhe më keq ushtarakisht” – Rusisë i vriten ushtarë edhe në këtë shtet!

Bota

LIVE: “Rusia është më keq ekonomikisht; është edhe më keq ushtarakisht” – Rusisë i vriten ushtarë edhe në këtë shtet!

Nga: BOTA SOT Më: 28 qershor 2023 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 09:19 më 28.06.2023
Antony Blinken

Zyrtarët ukrainas: Regjimit të Putinit po i vjen fundi, numërimi mbrapsht ka filluar

Vëmendja në kryeqytetin ukrainas është fiksuar drejtpërdrejt në kryengritjen e Grupit Wagner, ndaj liderit të tij Yevgeny Prigozhin dhe pasojat e saj për presidentin rus Vladimir Putinin dhe drejtimin e luftës në Ukrainë.

Drama brenda Rusisë ka ngurtësuar pikëpamjen në Kiev se kohës së Putinit në pozitën e presidentit të Rusisë po i vjen fundi.

“Unë mendoj se numërimi mbrapsht ka filluar”, tha Andriy Yermak, këshilltari më i afërt i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Në një konferencë në Kiev, ai u kthye në vitin kur Rusia nisi për herë të parë pushtimin e Ukrainës, duke aneksuar Gadishullin e Krimesë.

“Ajo që ka parë Ukraina që nga viti 2014 është bërë e dukshme për të gjithë botën”, tha Yermak.

“Kjo [Rusia] është një vend terrorist, udhëheqësi i të cilit është një person i papërshtatshëm, i cili ka humbur lidhjen me realitetin. Bota duhet të arrijë në përfundimin se është e pamundur të ketë ndonjë lloj marrëdhënieje serioze me atë vend”.

Zyrtarë të lartë ukrainas që folën për BBC këtu në Kiev, të gjithë argumentuan se presidenti Putin nuk mund të përballonte një humbje katastrofike të autoritetit.

Ata thane se filluan me vendminin e tij për të nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Rebelimi i Wagnerit dhe denoncimi i Prigozhinit për justifikimet e Kremlinit për luftën, thanë ata, kanë hequr atë që ka mbetur nga shanset e Putinit për të vazhduar.

“Regjimi i Putinit”, këmbënguli njëri prej tyre, “nuk mund të shpëtohet”.

Pa dyshim, sipas BBC-s, Putin po përballet me sfidën më serioze ndaj autoritetit të tij që kur u bë president për herë të parë në vitin 2000.

Zyrtarë të tjerë të lartë në Kiev thonë se janë të bindur se Putin kundërshtohet nga rrjete joformale.

Mykhailo Podolyak, një tjetër këshilltar i ngushtë i Presidentit Zelensky, ra dakord se kishte “disa grupe njerëzish që duan të marrin pushtetin në Rusi”.

Stoltenberg: Jemi të gatshëm të mbrohemi nga çdo kërcënim i Wagnerit

Sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Aleanca Veriatlantike është e gatshme të mbrohet nga çdo kërcënim që vjen nga forcat mercenare ruse Wagner.

Këto deklarime ai i bëri gjatë një takimi me presidentin e Lituanisë Gitanas Nauseda.

Me këtë rast kreu i shtetiu lituanez deklaroi se në forcat e Wagnerit vendosen në Bjellorusi, të gjitha shtetet fqinje përballen me një rrezik të madh të destabilizimit.

U raportua se shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, kishte mbërritur në Bjellorusi të martën sipas një marrëveshjeje të negociuar nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.

Ky i fundit arriti të shtunën t’i pengoi mercenarët të marshonin drejt Moskës, pasi ushtria private u rebelua kundër liderëve ushtarakë të Rusisë, shkruan Al-Jazeera.

Derisa presidenti i Polonisë Andrzej Duda, tha se shpreson se kërcënimi i paraqitur nga Wagner do të ishte në rendin e ditës në një samit të 31 anëtarëve të NATO-s në Vilnius, Lituani, më 11-12 korrik.

“Kjo është vërtet serioze dhe shumë shqetësuese, dhe ne duhet të marrim vendime shumë të forta. Kërkon një përgjigje shumë, shumë të ashpër të NATO-s”, tha Duda.

Kreu i Aleancës Veriatlantike tha se është shumë herët për të thënë se çfarë mund të thotë prania e Wagnerit në Bjellorusi për aleatët e NATO-s, por se aleanca ushtarake do të mbronte “çdo aleat, çdo centimetër të territorit të NATO-s” kundër kërcënimeve ose nga “Moska ose Minsku”.

“Ne kemi rritur tashmë praninë tonë ushtarake në pjesën lindore të aleancës dhe do të marrim vendime të mëtejshme për të forcuar më tej mbrojtjen tonë kolektive me më shumë forca të gatishmërisë së lartë dhe më shumë aftësi në samitin e ardhshëm”, tha Stoltenberg.

Orban: Lideri rus nuk është kriminel lufte, ai do të jetë në pushtet edhe vitin e ardhshëm

Kryeministri i Hungarisë ka mbështetur dje presidentin e Rusisë Vladimir Putin më hapur se kurrë. 

Në një intervistë të madhe për Bild-in gjerman, i pyetur nëse Putin është kriminel lufte, Viktor Orban u përgjigj: “Për mua, ai nuk është. Ne jemi në luftë. Mund të flasim për krime lufte pas luftës. Nëse dëshironi një armëpushim dhe negociata, ai mund t'i bindë palët ndërluftuese të ulen. Nuk është ide e mirë t'u thuash të vijnë në tavolinë dhe t'i arrestosh”, ka sqaruar qëndrimin e tij Orban. Kryeministri hungarez iu referua edhe rebelimit në Rusi të nisur nga Yevgeny Prigozhin , duke thënë se këto ngjarje nuk e dobësuan Putinin, sepse rebelimi u shtyp shpejt. “Kur (rebelimi) shtypet brenda 24 orëve, është shenjë fuqie”, shtoi Orban, i cili beson se Rusia nuk është dobësuar nga këto ngjarje. Ai shtoi se Rusia funksionon ndryshe nga vendet evropiane.

“Putini është i qëndrueshëm, ai është lideri i zgjedhur i Rusisë, është popullor dhe strukturat pas tij janë mjaft të forta”, tha Orban, i cili beson se Putini do të jetë në pushtet edhe vitin e ardhshëm në Rusi.

Deklaratat e Orban vijnë pas turit që zhvilloi në Ballkan, ku forcoi aleancat në vende si Serbia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, ku liderët kanë shfaqur shumë herë pakënaqësi me mënyrën si operon Perëndimi, njësoj si Vladimir Putini. Orban zhvilloi ditët e fundit takim me kryeministrin Rama, zbarkoi në Beograd ku i shkoi në zyrë presidentit Aleksandër Vuçiç dhe në fund e mbylli turin me drejtuesin serb të Bosnjës Milorad Dodik. Këta liderë që takoi kryeministri hungarez, një mbështetës i fuqishëm i Moskës, po mbajnë një qëndrim anti-Perëndim me zhvillimet e fundit që kanë përfshirë botën pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

“Thika pas shpine” do t’i kushtojë shtrenjtë Putinit, kaq milionë ushtarë i duhen për të zëvendësuar mercenarët e Wagner

“Rusia duhet të ndërtojë një ushtri prej shtatë milionë burrash për të siguruar që nuk nevojiten grupe mercenare për sigurinë e vendit”, ka thënë një politikan i lartë në Kremlin, pas një rebelimi të dështuar nga grupi mercenary Wagner gjatë fundjavës. Leonid Slutsky, i cili në fillim të luftës 16-mujore mori pjesë në negociatat e paqes me Ukrainën, paralajmëroi se Rusia ka nevojë për një ushtri me kontratë prej të paktën shtatë milionë personel ushtarak dhe civil, në krye të ushtrisë aktuale të rekrutuar. “Vendi nuk ka nevojë për ndonjë PMC, kompani ushtarake private”, tha Slutsky, kreu i Partisë Liberal Demokratike, në Telegram.

“Ka probleme në ushtrinë e rregullt, por PMC-të nuk mund t'i zgjidhin ato”, shtoi ai.

Ushtria ruse aktualisht besohet se përbëhet nga pak më shumë se një milion burra, me rreth dy milionë rezervistë. Edhe para grushtit të shtetit, thuhej se Vladimir Putin kishte urdhëruar Ministrinë ruse të Mbrojtjes që të zëvendësonte trupat e të dënuarve të grupit Wagner të Yevgeny Prigozhin me batalionet ndëshkuese të Kremlinit “Storm-Z” dhe forcat speciale çeçene.

Të burgosurit e mbijetuar nga të ashtuquajturat kompani “Storm-Z” thuhej se po transferoheshin nga Rusia për të forcuar trupat e tyre Vullnetare, sipas inteligjencës ushtarake ukrainase.

Sakaq, presidenti Vladimir Putin bëri një fjalim sfidues të hënën duke thënë se ai kishte lënë qëllimisht kryengritjen njëditore të vazhdonte për kaq shumë kohë, për të shmangur gjakderdhjen, ndërsa Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i Wagnerit, tha nga Bjellorusia, ku ai u zhvendos pas të shtunës, se rebelimi ishte një "plan perfekt" në mënyrën sesi mund të fillonte një pushtim.

Kryeministri holandez: Evropa qëndron fort për sigurinë e përbashkët

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte deklaroi se plani i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin po dështon.

Deklaratën, Rutte e dha gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë evropianë.

Rutte u shpreh se Evropa qëndron fort për sigurinë e përbashkët.

Rruga që ka marrë Ukraina është po e njëjta që ne kemi marrë përkundrejt Rusisë. Plani i Putin po dështon dhe me këtë agresion kujtoi se do na luftonte, por ne e dimë që do qëndrojmë fort për sigurinë e përbashkët, me një mbrojtje në krahun lindor”, theksoi ai.

3 të vdekur dhe disa të plagosur nga sulmi në Kramatorsk

Dy raketa goditën zonën Kramatorsk në Ukrainën lindore të martën në mbrëmje, duke vrarë të paktën tre persona, duke përfshirë një fëmijë dhe duke plagosur të paktën 42, sipas autoriteteve.

“Rusia synoi qëllimisht zona të mbushura me njerëz”, tha Ministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës Ihor Klymenko. Sulmet ndodhën rreth orës 19:30 me orën lokale.

Sipas autoriteteve, të plagosurit ishin tre të huaj dhe një fëmijë. “Ata goditën objektin e hotelierisë, operacionet e kërkimit dhe shpëtimit janë duke u zhvilluar”, tha këshilli i qytetit në Telegram.

Një dëshmitar okular përshkroi deri në një duzinë njerëzish duke u nxjerrë nga rrënojat. Nuk ishte e qartë nëse këta njerëz ishin të vdekur apo të gjallë, u tha dëshmitari ekipeve të CNN në terren.

Putin: Ushtria dhe oficerët e zbatimit të ligjit të Rusisë ‘në fakt ndaluan luftën civile’

Gjatë tentativës për kryengritje të armatosur, personeli ushtarak rus dhe oficerët e zbatimit të ligjit bënë përpjekje për të mbrojtur sigurinë e njerëzve dhe në fakt e shpëtuan vendin nga lufta civile, tha presidenti rus Vladimir Putin .

Ushtarakët dhe luftëtarët që u dalluan në rrjedhën e ngjarjeve të fundit morën pjesë në një ceremoni solemne në Kremlin.

“Ju keni mbrojtur rendin kushtetues, jetën, sigurinë dhe lirinë e qytetarëve tanë, keni shpëtuar Atdheun tonë nga trazirat dhe në fakt e keni ndalur luftën civile”, tha presidenti rus.

Merr fund enigma, zbulohet se sa paguhet një mercenar i Wagnerit

Merr fund enigma se sa paguhet një mercenar i Wagner. Sipas të dhënave një mercenar i Wagner paguhet 240,000 rubla, ose ndryshe 2700 euro në muaj, por paga mund të rritet në bazë të performancës.

Sipas të dhënave të zbuluara nga shërbimet inteligjente britanike, vetëm në muajin janar, organizata kishte rreth 50 000 luftëtarë.

Kryengritja e grupit Wagner dhe anulimi i mëpasshëm i planeve nga kreu, Yevgueni Prigozhin, ka qenë në fokus ditët e fundit. Një imazh që për shumë ekspertë dhe zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme është një shenjë “dobësie” e manifestuar nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Grupi i themeluar nga Dmitri Utkin dhe tani i udhëhequr nga Prigozhin, pati mosmarrëveshje dhe tensione me ushtrinë ruse dhe Kremlinin për shkak të mungesës së ndihmës ushtarake në frontin e betejës. Pavarësisht gjithë kësaj, organizata paraushtarake ka luajtur një rol kyç në arritjen e territoreve të ndryshme për trupat ruse të stacionuara në Ukrainë, siç është qyteti i Bakhmut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat