“Përvëlohet” bota gjatë stinës së verës, temperaturat arrijnë në 48 gradë Celsius

Bota

“Përvëlohet” bota gjatë stinës së verës, temperaturat arrijnë në 48 gradë Celsius

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 11:01
Foto ilustrim

Më shumë se 2,000 njerëz pësuan përkeqësim të gjendjes për shkak të nxehtësisë gjatë pelegrinazhit të Haxhit, thanë zyrtarët sauditë, pasi temperaturat u rritën në 48 gradë Celsius.

Mbi 1.8 milionë besimtarë myslimanë kryen haxhin njëditor, kryesisht të mbajtur jashtë në kulmin e verës së shkretëtirës saudite. Shumë të moshuar ishin në mesin e pelegrinëve pasi u hoq kufiri maksimal i moshës.

Zyrtarët sauditë thanë se rreth 1700 raste të përkeqësimit të gjendjes për shkak  të nxehtësisë u regjistruan të enjten – pasi një numër i madh pelegrinësh mbeten në vendet e shenjta një ditë pas përfundimit të ritualeve kryesore – shtuar në 287 të raportuar më parë.

“Numri i rasteve të stresit të nxehtësisë që nga fillimi i kësaj dite ka arritur në 1,721”, tha ministria saudite e shëndetësisë, duke u kërkuar njerëzve që të qëndrojnë larg diellit dhe të pinë shumë ujë.

Zyrtarët nuk dhanë një numër të vdekjeve, por të paktën 230 njerëz – shumë nga Indonezia – vdiqën gjatë pelegrinazhit, sipas numrave të shpallur nga vende të ndryshme të cilat nuk renditën shkaqet e vdekjes.

Sipas konsullit të përgjithshëm të Indonezisë, vendi më i madh mysliman në botë, të paktën 209 indonezianë vdiqën gjatë haxhit.

“Është e pasaktë të thuhet se shumë pelegrinë indonezianë vdiqën për shkak të goditjeve të të nxehtit”, tha Eko Hartono, duke shtuar se shkaqet e vdekjes ishin kryesisht për shkak të sëmundjeve të zemrës dhe të frymëmarrjes.

Haxhiu më i vjetër i Iranit këtë vit, 114 vjeç, vdiq nga një atak në zemër, tha agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars, duke raportuar 10 vdekje iraniane.

Tetë algjerianë dhe katër marokenë vdiqën, thanë zyrtarët, ndërsa një media egjiptiane pro-qeveritare tha se tetë pelegrinë nga vendi kishin vdekur.

Qindra njerëz u trajtuan për probleme të zemrës, duke përfshirë një burrë 78-vjeçar filipinas, i cili pati një operacion të suksesshëm në zemër të hapur në Mekë, tha ministria e shëndetësisë.

Shifra reale për stresin e nxehtësisë – që përfshin goditjen nga nxehtësia, rraskapitja, ngërçet dhe skuqjet – është ndoshta shumë më e lartë, pasi shumë të sëmurë nuk u shtruan në spitale apo klinika, raporton The Guardian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat