Përgjigja e Vladimir Putin ndaj rebelimit të armatosur të Wagner ishte “e dobët” dhe presidenti rus po humbet kontrollin mbi popullin e tij, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për CNN.
Putin u përball me kërcënimin më të madh ndaj autoritetit të tij në dy dekada muajin e kaluar kur kreu i grupit paraushtarak Wagner, Yevgeny Prigozhin , nisi një kryengritje jetëshkurtër, duke pretenduar kontrollin e objekteve ushtarake në dy qytete ruse dhe duke marshuar drejt Moskës përpara se të kthehej prapa.
“Ne e pamë reagimin e Putinit ndaj Wagner. Ishte i dobët,” theksoi Zelensky.
“Së pari, ne shohim se ai nuk kontrollon gjithçka. Lëvizja e Wagner-it në Rusi dhe marrja e rajoneve të caktuara tregon se sa e lehtë mund të bëhet. Putin nuk e kontrollon situatën në rajone, pushteti i tij po shkërmoqet”, deklaroi presidenti ukrainas ndër të tjera.