Pushtuesit rusë në Ukrainë po vuajnë shumë pavarësisht suksesit të tyre të pjesshëm në Ukrainë, vlerësojnë ekspertët ushtarakë britanikë në raportin e tyre të përditshëm të inteligjencës për luftën në Ukrainë, të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në Londër.
Trupat ruse kanë mungesë të municioneve, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Rusët ishin pjesërisht të suksesshëm në ngadalësimin e kundërsulmimit ukrainas në fillimet e saj. Kjo ishte kryesisht për shkak të përdorimit masiv të minave antitank, thuhet në raport.
“Duke ngadalësuar përparimin ukrainas, Rusia u përpoq të sulmonte automjetet e blinduara ukrainase me dronë, helikopterë sulmues dhe artileri”, deklaroi ministria britanike.
Ministria Britanike e Mbrojtjes raporton për ecurinë e luftës ruse në baza ditore që nga fillimi i pushtimit. Moska akuzon Londrën për përhapjen e dezinformatave.
Ndryshe, ukrainasit kanë treguar arsyen se pse po shkon ngadalë kundërofensiva ndaj forcave ruse.
“Në këtë fazë të armiqësive aktive, Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës po përmbushin detyrën numër një: shkatërrimin maksimal të fuqisë punëtore, pajisjeve, depove të karburantit, automjeteve ushtarake, posteve komanduese, artilerisë dhe forcave kundërajrore të ushtrisë ruse”, shkroi në Twitter sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Oleksiy Danilov.