I dërguari i Papa Françeskut nis punën për rikthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer
I dërguari i Papës Françesku për paqen për Ukrainën, kardinali Matteo Zuppi, ka deklaruar se po punon për një “mekanizëm” që mund të sigurojë kthimin e fëmijëve që sipas Kievit janë rrëmbyer nga forcat ruse.
“Ne do të punojmë për organizimin e një mekanizmi për rikthimin e fëmijëve, veçanërisht fëmijët që duhet të kthehen në Ukrainë”, tha kardinali Zuppi në një prezantim në Romë.
Ai u shpreh se e kishte diskutuar personalisht këtë çështje me Papën. Kardinali italian vizitoi Moskën javën e kaluar ndërsa më parë ishte në Kiev.
Duke folur për transmetuesin publik italian RAI të dielën, kardinali Zuppi tha se ai nuk po punonte për një “plan paqeje” ose një “ndërmjetësim” midis Ukrainës dhe Rusisë, teksa theksoi se ai ishte duke u fokusuar vetëm në “aspektet humanitare”.
Holanda do të ndajë paketën e re gjithëpërfshirëse të mbështetjes për Ukrainën
Holanda do t’i ofrojë Ukrainës një paketë të dytë gjithëpërfshirëse mbështetëse që arrin në më shumë se 118 milionë euro. Fondet do të përdoren për nevoja humanitare dhe ndihmë ekonomike.
Vihet re se 93 milionë euro do të vijnë nga rezerva e qeverisë prej 2.5 miliardë eurosh për të mbështetur Ukrainën në vitin 2023 dhe 25 milionë euro të tjera nga buxheti për tregtinë e jashtme dhe zhvillimin e bashkëpunimit.
Holanda do të ndajë 83 milionë euro për restaurimin dhe sistemin e kujdesit shëndetësor të Ukrainës. Nga këto, 58 milionë euro do të përdoren për riparimin e infrastrukturës dhe banesave. Pjesa e mbetur prej 25 milionë euro janë ndarë për pajisje mjekësore dhe mbështetje për klinikat.
Përveç kësaj, Holanda do të ndajë 10 milionë euro për ndihmë emergjente për të eliminuar pasojat e shkatërrimit të hidrocentralit Kakhovska të kryer nga Rusia. 875 milionë euro të tjera do të shkojnë për të mbështetur aktivistët ukrainas të të drejtave të njeriut.
Përveç kësaj, Qeveria e Holandës po cakton 25 milionë grante për bizneset dhe organizatat publike për të kontribuar në restaurimin e Ukrainës, kryesisht në fushat e bujqësisë, furnizimit me ujë dhe kujdesit shëndetësor. Grantet mund të aplikohen nga shtatori.
Mbështetje financiare shtesë do t’i ofrohet gjithashtu një prej kompanive ukrainase për të hapur një fabrikë për prodhimin e materialeve të ndërtimit në pjesën perëndimore të Ukrainës.
Holanda po eksploron gjithashtu mundësinë e sigurimit të rrezikut për kompanitë që eksportojnë ose investojnë në Ukrainë përmes një mekanizmi garancie ose sigurimi.