Kaos me trenat në Sidnei – shkak sëmurja e një punëtori të kompanisë

Bota

Kaos me trenat në Sidnei – shkak sëmurja e një punëtori të kompanisë

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 12:36
Sidnei

Një anëtar i vetëm i sëmurë i stafit është fajësuar për vonesat në linjat e shumta të trenave të Sidneit, duke shkaktuar kaos në transportin publik të enjten.

Disa linja u pezulluan fillimisht midis orës 14:24 dhe 15:37, duke shkaktuar për pasojë ndërprerje të mëdha në pjesën më të madhe të rrjetit, raporton “The Guardian”.

Për pasojë, turma të mëdha njerëzish u grumbulluan nëpër stacione, derisa stafi u desh t’i menaxhojë platformat e mbipopulluara.

Disa pasagjerë u detyruan të prisnin deri në një orë.

Anëtari kryesor i stafit që nuk u paraqit në punë për shkak se njoftoi se ishte i sëmurë është një sinjalizues, i cili është një rol i rëndësishëm që u tregon, mes tjerash, drejtuesve të trenave kur një shteg është i pastër, ngjashëm me një kontrollues të trafikut ajror.

“Guardian Australia” ka mësuar se anëtari i stafit ka lajmëruar në minutat e fundit se është i sëmurë, duke mos i dhënë kohë të mjaftueshme “Sydney Trains” të gjejnë një zëvendësues.

“Sydney Trains” kërkoi falje për shqetësimet, duke thënë në një deklaratë se “backup-i tipik” që do të duhej të vendosej në këtë skenar “nuk ishte në dispozicion”.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit për Transportin, Howard Collins, u tha gazetarëve se u duhet më shumë se një vit për të trajnuar sinjalizuesit. Ai tha gjithashtu se ishte një kombinim faktorësh që çuan në vonesa.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat