LIVE: Ukraina po fiton në Bakhmut – Rusia “kapet” me SHBA që po furnizon Ukrainën me bomba thërrmuese!

Bota

LIVE: Ukraina po fiton në Bakhmut – Rusia “kapet” me SHBA që po furnizon Ukrainën me bomba thërrmuese!

Nga: BOTA SOT Më: 11 korrik 2023 Në ora: 07:05 Përditësuar në ora: 08:49 më 11.07.2023
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu

Shokohet Rusia - Vritet kapiteni që komandoi nëndetësen me të cilën sulmoi Ukrainën

Stanislav Rzicki, zëvendësshef i Departamentit për Punë Mobilizuese, u vra, njoftuan kanalet Telegram, Shot, Baza dhe Mash.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS konfirmoi raportet, duke cituar burime policore.

Administrata e Krasnodarit ka konfirmuar për mediet se rrethanat e vdekjes aktualisht janë duke u hetuar.

42-vjeçari Rzicki është qëlluar me armë zjarri mëngjesin e sotëm teksa vraponte në afërsi të Olympus Arena në Krasnodar.

Sulmuesi qëlloi Rzickin katër herë “në shpinë dhe në gjoks” para se ai të zhdukej. Rzicki vdiq në vend. Për vrasjen e tij u hap një çështje penale.

Kanalet në Telegram raportojnë se Rzicki ishte kapiten i rangut të dytë.

Sipas bazës së të dhënave ukrainase Myrotvorets, ai “ka marrë pjesë drejtpërdrejt në pushtimin ushtarak të Ukrainës” dhe komandoi nëndetësen Alrosa, pjesë e Flotës së Detit të Zi.

Mediet ukrainase kanë përfshirë Rzicky në listën e kapitenëve të nëndetëseve ruse, të cilat, sipas të dhënave të tyre, kanë kryer sulmin në Vinicë më 14 korrik 2022, ku humbën jetën 27 persona.

Zelensky: Siguria e krahut lindor të NATO-s varet nga Ukraina

Volodymyr Zelenskyy ka thënë se siguria e krahut lindor të NATO-s varet nga Ukraina. Përpara takimit të NATO-s në Vilnius, presidenti ukrainas tha se vendi i tij është tashmë një anëtar “de facto” i aleancës.

Zelenskyy ka kërkuar prej kohësh që Kievi t’i bashkohet NATO-s që nga fillimi i luftës.

Realiteti i sigurisë këtu në krahun lindor të NATO-s varet nga Ukraina. Kur aplikuam për t’u bashkuar në NATO, ishim të sinqertë: Ukraina është de fakto tashmë në Aleancë. Armët tona janë armët e Aleancës. Vlerat tona janë ato në të cilat beson Aleanca.  Mbrojtja jonë është vetë elementi i formulës së Evropës që e bën atë të bashkuar, të lirë dhe paqësore. Vilnius duhet të konfirmojë të gjitha këto.

Jemi ende duke punuar për formulimin, pra për fjalët specifike të një konfirmimi të tillë, por tashmë e kuptojmë faktin që Ukraina do të jetë në Aleancë dhe po punojmë që algoritmi për anëtarësim të bëhet sa më i qartë dhe i shpejtë. Puna jonë për këtë – puna e të gjithë ekipit ukrainas – do të vazhdojë çdo minutë të këtyre ditëve.”, ka shkruar Zelensky.

SHBA në mbrojtje të vendimit për dërgimin e municioneve thërrmuese për Ukrainën

Ndërsa vendet anëtare përgatiten për takimin e nivelit të lartë të aleancës në Vilnius, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditura sërish arsyet e dërgimit të bombave thërrmuese në Ukrainë. Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, shanset që Ukraina të anëtarësohet së shpejti në NATO janë të pakta.

Bombat thërrmuese përhapin eksploziv që mund të shpërthejë në disa valë dhe kohë të ndryshme dhe të cilat mund të përbëjnë rrezik shumë më të gjerë. Mbi 100 vende kanë ndaluar përdorimin e tyre.

Por, ndërsa Ukrainës po i mbarojnë municionet për kundërofensivën e nisur ndaj Rusisë, Shtetet e Bashkuara po dërgojnë tashmë këtë lloj municioni, shpjegoi zëdhënësi i Këshilli të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Ne do t’i dërgojmë këto predha shtesë me municione thërrmuese për t’i ndihmuar, ndërkohë që po shtojmë prodhimin e predhave të kalibrit 155”, tha zoti Kirby.

Qeveria ruse, e cila është akuzuar për përdorimin e municioneve thërrmuese në zonat urbane të Ukrainës, e dënoi vendimin.

Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë nënvizuar rrezikun nga municionet thërrmuese për civilët. Ligjvënësja demokrate Barbara Lee e shprehu këtë shqetësim në kanalin CNN.

“Nuk shpërthejnë menjëherë. Mund t’i shkelin fëmijët. Kjo është vija që nuk duhet të kalojmë”, tha Ligjvënësja Lee.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, theksoi sërish rëndësinë e marrjes së mbështetjes ndërkombëtare në formën e armatimeve të ndryshme.

Avionët F-16 apo paisjet e tjera që na nevojiten, do të na japin mundësinë të veprojmë më shpejt, të shpëtojmë jetë njerëzish, të mbrojmë më gjatë territorin”, tha ai.

Presidenti Zelensky shtoi se do të dëshironte të merrte garanci të qarta sigurie nga NATO-ja, kur vendet anëtare të mblidhen në Vilnius, të Lituanisë.

Presidenti amerikan Joe Biden, i cili foli për kanalin CNN, uli pritshmëritë për një anëtarësim së shpejti të Ukrainës në aleancë.

Nuk mendoj se ka mbështetje unanime në NATO për ta bërë Ukrainën anëtare të familjes së NATO-s, ndërsa ajo gjendet në luftë. NATO është një proces që kërkon kohë për arritjen e të gjitha kritereve. Që nga demokratizimi dhe një sërë çështjesh të tjera”, tha Presidenti Biden.

Një pikëpamje të ngjashme shprehu edhe Ligjvënësi republikan Michael McCaul.

“Kanë treguar vullnetin për të luftuar për lirinë dhe demokracinë, kundër tiranisë dhe shtypjes. Mendoj se e kanë fituar të drejtën, por se duhet të përcaktojmë rrugën e duhur për një anëtarësim jo të menjëhershëm në NATO”, tha Ligjvënësi McCaul.

Diskutimet për mënyrën se si Ukraina do të afrohet një hap më pranë anëtarësimit në aleancë, pritet të zhvillohen gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s.

NATO lehtëson kriteret për anëtarësimin e Ukrainës, Kremlini kërcënon: Do ketë pasoja për sigurinë në Europë!

Rusia e ka kërcënuar NATO-n me një përgjigje “mjaft të qartë dhe të ashpër” nëse Ukraina do të lejohet të anëtarësohet në aleancë.

Aleanca ka vendosur të heqë një kërkesë burokratike për anëtarësim, duke i mundësuar Ukrainës të bashkohet më shpejt kur të përfundojë lufta, tha sot ministri i jashtëm i Ukrainës.

Ditën e nesërme NATO do të mbajë një samit në Vilnius, Lituani, ky do synojë të tregojë vijimësinë e solidaritetit me Ukrainën.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov është shprehur se pozicioni i Federatës Ruse është i qartë mbi anëtarësimin e Ukrainës, gjë që sipas tij do të sjellë pasoja “shumë, shumë” negative për arkitekturën e sigurisë në Evropë.

Do të jetë një rrezik absolut, një kërcënim për vendin tonë, i cili do të kërkojë nga ne një reagim mjaft të qartë dhe të vendosur”, u shpreh Peskov duke theksuar kërcënimin për anëtarët e NATO-s.

Turqia nis ndërtimin e fabrikës për prodhimin e dronëve Bayraktar në Ukrainë

Kompania turke Baykar ka filluar ndërtimin e një fabrike të prodhimit të dronëve Bayraktar në Ukrainë. Këtë e ka bërë të ditur ministri ukrainas i teknologjisë, Oleksandr Kamyshyn, cituar nga Ukrainska pravda.

“Ndërtimi i uzinës tashmë ka filluar”, siguroi ministri, duke shpjeguar se është fabrika për të cilën ka pasur një marrëveshje vite më parë, më pas u bllokua nga skandalet.

Të shtunën, gjatë vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Stamboll, ministrat e Teknologjisë ukrainas dhe turk nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për zhvillimin dhe prodhimin e llojeve të ndryshme të dronëve.

Presidentja e Parlamentit Evropian: Ne do të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa duhet

Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola ka thënë se Parlamenti Evropian ka mbështetur Ukrainën që nga dita e parë e pushtimit rus në shkallë të plotë dhe do t’i ofrojë ndihmë vendit për aq kohë sa duhet.

“500 ditë Ukraina duke mposhtur shanset. 500 ditë ukrainas që frymëzojnë botën. 500 ditë të Evropës dhe botës demokratike të bashkuara si disa herë të tjera në histori. Unë dua të them sa krenar jam që Parlamenti ynë Evropian ka qëndruar me Ukrainën dhe njerëzit e saj që nga dita e parë”, tha Metsola.

Ajo kujtoi gjithashtu ndihmën për Ukrainën për blerjen e gjeneratorëve të energjisë si pjesë e fushatës mbarëevropiane “Gjeneratorët e Shpresës”.

Ky Parlament, Bashkimi ynë Evropian, do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me popullin e guximshëm të Ukrainës për aq kohë sa duhet. Për Ukrainën. Për Evropën. Për demokracinë. Që liria të mbizotërojë,” tha Metsola.

Më 24 shkurt 2022, Rusia nisi një fazë të re të luftës kundër Ukrainës, e cila ka vazhduar që nga viti 2014 një pushtim në shkallë të plotë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat