Ukraina kritikoi të shtunën presidentin pro-rus të Bullgarisë lidhur me komentet e tij se Kievi është fajtor për luftën e vazhdueshme të Rusisë dhe se furnizimi me armë i Ukrainës vetëm e zgjat konfliktin.
Presidenti bullgar, Rumen Radev, u kishte thënë gazetarëve të premten, gjatë një konference për shtyp në të cilën ai foli për samitin e fundit të NATO-s, se donte “ta bënte të qartë se është Ukraina ajo që këmbëngul për të vazhduar këtë luftë”.
“Por duhet të jetë gjithashtu e qartë se fatura paguhet nga e gjithë Evropa”, shtoi ai.
Vërejtjet e liderit pro-rus janë pjesë e përpjekjeve të tij të vazhdueshme për ta mbajtur Bullgarinë jashtë mbështetjes së përbashkët ushtarake të BE-së për Ukrainën.
Ambasada e Ukrainës në Sofje në një deklaratë, të shtunën, tha se Kievi po bënte të gjitha përpjekjet e mundshme për të rivendosur paqen dhe hodhi poshtë qëndrimin e Radevit se furnizimi me armë për Ukrainën nxit dhe zgjat luftën.
Gjatë krizës politike që kishte kapluar Bullgarinë, anëtare e BE-së dhe NATO-s, në dy vjetët e fundit, Radev ka përdorur kompetencat e tij për të emëruar qeveritë e përkohshme që ndanin të njëjtin mendim me presidentin për mosfurnizimin me armë të Kievit. Megjithatë, përpjekjet e tij kanë dështuar që kur u formua qeveria e re bullgare pro-perëndimore në qershor.
Të premten, kryeministri bullgar, Nikolai Denkov, kundërshtoi ashpër pozicionin e Radevit dhe fajësoi presidentin rus, Vladimir Putin dhe administratën e tij për pushtimin rus të Ukrainës.
“Përkundrazi, ai që insiston për të vazhduar këtë luftë është rrethi rreth Putinit. Ata e filluan këtë luftë”, tha Denkov.
“E them përsëri: mënyra më e shpejtë për të ndaluar këtë luftë është që i njëjti rreth të bëjë thirrje që trupat e tyre të tërhiqen”, shtoi kryeministri bullgar.