Lufta drejt fundit, për tre muaj vendoset gjithçka, ja çfarë pritet të ndodhë me Ukrainën deri në fund të verës, zbulohet parashikimi i frikshëm i ekspertëve
Duke parë rusët të përparonin në mënyrë të frikshme për muaj të tërë, Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë ishin të vetëdijshëm se një kundërofensivë e re nuk do të ishte e lehtë. Edhe pse ata nuk e prisnin përparimin e shpejtë të rrufeshëm të parë rreth Kharkivit shtatorin e kaluar, shpresat ishin që ukrainasit të përparonin me më shumë sukses sesa rezultoi në realitet. Ofensiva e pranverës doli më sfiduese se sa pritej, edhe me një arsenal të ri armësh dhe pajisjesh perëndimore dhe muaj përgatitjesh. Ajo nisi në qershor, por përparimi ka zhgënjyer disa që kishin shpresuar për një marrje më të shpejtë të territoreve të pushtuara në jug dhe në lindje të vendit.
Por ndërsa Ukraina po planifikonte kundërsulmin e saj, rusët ishin vendosur mirë nëpozicionet e tyre përgjatë vijës së frontit 900 km nga kufiri Kharkiv-Luhansk në verilindje të Ukrainës deri në Kherson në jugperëndim. Në të vërtetë, kundërofensiva ukrainase po ecën më ngadalë dhe analistët ushtarakë paralajmërojnë se mundësia për një përparim në mbrojtjen ruse dhe kthimin e territorit së shpejti mund të shuhet. Ata theksojnë se ukrainasit tani përballen me linja të shumta të mbrojtjes ruse që në disa raste janë 30 km të thella dhe përbëhen nga fusha të minuara, pengesa antitank dhe një rrjet i gjerë llogoresh dhe bunkerësh të mbuluar nga dronët, artileria dhe helikopterët rusë.
Sfidat e Ukrainës
Një nga problemet më të mëdha të Ukrainës është se afati kohor për të thyer mbrojtjen ruse është i kufizuar. Kanë mbetur vetëm disa muaj të tjerë për të bërë përparim të dukshëm. Michael Clarke, një analist i mbrojtjes dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Institutit RUSI, beson se ekziston rreziku që faza e parë e kundërofensive, kushtuar hetimit të mbrojtjeve ruse, të zgjasë shumë.
“Është dashur të jetë gjithmonë një ofensivë në dy faza, me një lloj ekzaminimi fillestar për të identifikuar dobësitë e mbrojtjes ruse, e cila pasohet nga një fazë e dytë ku investojnë forca të mëdha në të. Jemi ende në fazën e parë, e cila zgjati më shumë sesa pritej”, tha Clark të mërkurën për CNBC. “Nëse kjo fazë e parë zgjat shumë, do të mbetet shumë pak kohë, para se të ndryshojnë kushtet e motit, para fillimit të fazës së dytë”, shtoi ai.
Ndërsa ai beson se ky është një skenar i pamundur, Clark tregoi se presioni i kohës mund të inkurajojë Ukrainën të vendosë njësitë e saj të destinuara për përdorim në fazën e dytë të kundërsulmimit më herët se sa ishte planifikuar, gjë që ai vuri në dukje se është ajo që Rusia pret.
Tre muaj kohë
Moti është një nga kufizimet më të mëdha. Balta e vjeshtës në Ukrainë do ta bëjë ofensivën shumë më sfiduese dhe ndonjëherë praktikisht të pamundur, për shkak të rrugëve dhe fushave të pakalueshme. Konrad Muzika, një ekspert i inteligjencës ushtarake dhe president i konsulencës Rohan, thotë se "koha ka qenë gjithmonë një faktor" për Kievin.
“Mendoj se është e drejtë të thuhet se ukrainasit kanë deri në tre muaj kohë para se t'u mbarojnë municionet e artilerisë dhe tytat për armët e tyre dhe tre muaj derisa terreni të bëhet tejet i vështirë”, tha Muzika. Shkalla e sfidave me të cilat përballej Ukraina u bë e dukshme pasi vrulli i hershëm në kundërofensivë, e cila rimori një pjesë të vogël të fshatrave të pushtuara në jug, në dukje u shua.
Kievi tha se forcat e tij po kryenin veprime kundërsulmuese në të paktën tre zona dhe po vepronin në sfondin e operacioneve ofensive ruse. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës pretendon se rreth 210 kilometra katrorë të territorit të pushtuar janë çliruar që nga qershori. Ndërkohë, natyra rraskapitëse e kundërofensivës po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
“Ukrainasve u mbetet thjesht të ecin me shpresën se aftësia ruse për të mbështetur forcat në veri do të dobësohet mjaftueshëm për të lejuar një rritje të ritmit të sulmeve tokësore në anën ukrainase. Sa do të jetë e suksesshme kjo nuk e di”, tha Muzika. Aleatët e Ukrainës ende thonë se do ta mbështesin Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Sipas gjeneralit amerikan Mark Milley, shefi i shefave të përbashkët të shtabit, kundërsulmi është "larg nga dështimi". Megjithatë sipas tij, beteja do të jetë “e gjatë, e vështirë dhe e përgjakshme”.