Rusia dhe Ukraina kanë kryer një seri sulmesh të njëpasnjëshme ndaj njëra-tjetrës mëngjesin e së martës.
Fillimisht ka qenë një dron që ka goditur një grataçelë në qendër të Moskës, ku ndodhen dhe zyrat e qeverisë ruse.
Sulmi ishte i dyti që kryhet ndaj godinës brenda pak ditëve. Nga impakti nuk pati të lënduar, por Kremlini deklaroi se incidenti ishte një “sulm terrorist” ukrainas.
Një këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky deklaroi nga ana tjetër se në ditët e ardhshme Rusia do të shohë “më shumë dronë të paidentifikuar”.
Në vendin e përfshirë nga lufta, dy konvikte u dëmtuan gjatë orëve të natës si pasojë e një sulmi të ngjashëm me dron në Kharkiv, në veri-lindje të Ukrainës.
Ndërsa në Kherson u bombardua një spital, ku për pasojë një mjek gjeti vdekjen, ndërsa një infermiere mbeti e plagosur.
Gjatë paradites së të martës, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte zmbrapsur një sulm ndaj anijeve të saj luftarake në detin e Zi, të kryer nga dronë ujorë ukrainas.
Gjithashtu, pala ruse bëri të ditur se kishte asgjësuar një sulm po nga dronë të ushtrisë së Kievit ndaj një varke civile.
Nga ana e saj, pala ukrainase nënvizoi se kishte penguar hyrjen në vend të disa sabotatorëve rusë, pasi rojet kufitare në kufirin verior kishin shkëmbyer zjarr me ta.