LIVE:Sulmi rus gjatë natës goditi më pak se 1 km nga NATO; telefonata “interesante” e Putinit me liderin turk

Bota

LIVE:Sulmi rus gjatë natës goditi më pak se 1 km nga NATO; telefonata “interesante” e Putinit me liderin turk

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 06:42 Përditësuar në ora: 06:35 më 02.08.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Pushtimi rus, Kremlini bën bilancin: 4.8 ukrainas janë transferuar në Rusi, përfshirë 700 mijë fëmijë

Gjithsej 4.8 milionë ukrainas, duke përfshirë më shumë se 700,000 fëmijë, janë transferuar në Rusi që nga fillimi i luftës, ka thënë një zyrtar i Kremlinit.

Komisionerja për të drejtat e fëmijëve Maria Lvova-Belova tha se shumica dërrmuese e fëmijëve nuk kishin mbikëqyrje prindërore ose kujdestare dhe e cilësoi largimin e tyre si një gjest “vullneti të mirë”, sipas Institutit për Studimin e Luftës, një institut me bazë në SHBA.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër arresti për Lvova-Belova duke e akuzuar atë për dëbim të paligjshëm të fëmijëve.

Duhet të theksohet se Rusia i konsideron zonat e aneksuara ilegalisht të Ukrainës: Krimenë, Luhansk, Donetsk, pjesë të Zaporizhzhia dhe Kherson – si pjesë të Federatës Ruse.

Paralajmëron Lukashenko: Armët bërthamore mund të frenojnë përplasjet

Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, ka deklaruar se armët bërthamore ruse të vendosura në Bjellorusi janë një faktor për të frenuar përplasjet.

“Armë bërthamore do të thotë siguri. A do t’i përdorim? Shpresoj që të mos arrijmë dëri në këtë pikë. Unë nuk dua që njerëzit e mi të shkojnë në luftë, është një gjë e tmerrshme. Ne nxjerrim përfundime, por po ashtu nxjerrim edhe mësime. Ne nuk po drejtojmë armët, por po përgatitemi për të mbrojtur vendin tonë”, tha Lukashenko gjatë një takimi me banorët e qytetit të Belovezhsky në rajonin e Brest.

Sipas tij, më shumë se gjysma e armëve bërthamore që supozohej të vendoseshin në Bjellorusi tashmë janë dorëzuar dhe shpërndarë.

Ndërkohë situata mes Ukrainës dhe Rusisë vijon të mbetet problematike. Në javët e fundit, Ukraina ka sulmuar me dronë Moskën. Kremlini nga ana e tij ka paralajmëruar se do të marrë masa dhe se do të reagojnë ashpër, ndaj sulmeve.

Marrëveshja për eksportin e drithërave, SHBA: Ka sinjale se Rusia do të rikthehet në bisedime

Shteteve të Bashkuara u është thënë se Rusia është e gatshme të kthehet në bisedimet për marrëveshjen që lejon eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase nga Deti i Zi. Por, “ne ende nuk kemi parë ndonjë dëshmi për këtë”, tha më 1 gusht e dërguara e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Rusia u tërhoq nga marrëveshja për drithërat më 17 korrik. Ambasadorja e SHBA-ja në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se nëse Rusia dëshiron që plehrat e saj artificiale të arrijnë në tregjet botërore dhe të ketë lehtësim në transaksionet për produktet bujqësore “ata duhet të kthehen në këtë marrëveshje”.

Ne kemi parë tregues se ata mund të jenë të interesuar që të rikthehen në diskutime. Prandaj, ne duhet të presim që të shohin nëse kjo do të ndodhë”, tha ajo pa dhënë më shumë detaje.

Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja ka pamundësuar që Ukraina – një prodhuese globale e drithërave – të eksportojë në mënyrë të sigurt prodhimet bujqësore nga portet në Detin e Zi teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon.

Vitin e kaluar, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan marrëveshjen për eksportin e drithërave.

Që nga tërheqja e Rusisë nga marrëveshja, Ukraina po eksporton produktet e saj përmes rrugëve tokësore për në Bashkimin Evropian, por edhe përmes rrugëve alternative përmes lumit Danub.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat