Kandidati republikan për president të SHBA-ve, Chris Christie u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky gjatë një udhëtimi të paparalajmëruar në Ukrainë të premten.
Ish-guvernatori i Nju Xhersit vizitoi gjithashtu zonat e shkatërruara nga beteja të Moshchun dhe Bucha, shkruan CNN.
Ai u tha gazetarëve që udhëtonin me të se erdhi në vend sepse dëshiron që amerikanët të shohin atë që ai sheh, në mënyrë që vendosmëria e tyre për të mbështetur Ukrainën të vazhdojë.
Christie ka mbrojtur mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën dhe tha se mbështetja amerikane ishte e nevojshme për të kundërshtuar ndikimin e kundërshtarëve si Kina dhe Rusia.
Ai gjithashtu kritikoi rivalin e tij, ish-presidentin Donald Trump, në fillim të këtij viti për refuzimin për të thënë nëse Ukraina duhet të fitojë luftën kundër Rusisë.