Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, një takim ballë për ballë mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus, Vladimi Putin, është dukur si “ëndërr” për diplomatët perëndimorë dhe jo vetëm.
Kjo për shkak të refuzimit kategorik të të dyve, qoftë edhe për tu ulur në të njëjtën tryezë. Ka patur përpjekje edhe nga presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i konsideruar si “katalizatori” më i mirë mes tyre, por pa sukses.
Megjithatë, tani duket se takimi do të ndodhë, më shpejt seç pritet. “Kumbari” duket se do të jetë Papa Françesku, kërkesa e të cilit dhe ndërmjetësimi i Emirateve të Bashkuara Arabe, mund të bëjnë realitet përballjen e shumëpritur.
Roli i Emirateve Arabe
Ky takim pa dyshim do të kishte një rëndësi historike, për luftën dhe vijueshmërinë e saj.
Samiti mes liderëve rusë dhe ukrainas mund të zhvillohet gjatë Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP 28) që do të mbahet nëntorin e ardhshëm në Dubai. Kështu ka raportuar gazeta franceze “L'Orient-Le Jour”, e cila ka shkruar se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed tashmë po punon për "organizimin e takimit midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, me kërkesë të Papa Françeskut".
“Lajmi është bërë i ditur nga diplomatët perëndimorë dhe arabë”, shkruan gazeta. Sakaq, “New York Times”, në një editorial të botuar dje, vuri në dukje se deri më tani Departamenti Amerikan i Shtetit "ka pasur sukses të kufizuar në bindjen e Sheikh Mohammed bin Zayed për t'u lidhur me politikën e jashtme të SHBA, veçanërisht kur bëhet fjalë për kufizimin e lidhjeve ushtarake me Kinën dhe izolimin e Rusisë pas pushtimit të Ukrainës”.
Marrëdhëniet me Rusinë
Vitin e kaluar, kujton gazeta amerikane, Zayed, i konsideruar si një partner vendimtar për Shtetet e Bashkuara në rajon, shkoi dy herë në Rusi për të takuar Presidentin Putin.
Madje, qershorin e kaluar Abu Dhabi "ishte mysafir nderi në Forumin e investimeve të liderit rus”. Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bashkëpunuar ngushtë si anëtarë të aleancës së naftës OPEC + dhe Dubai është një nga kryeqytetet e rralla botërore që ka mbajtur fluturime direkte për në Moskë pas fillimit të konfliktit të Ukrainës në shkurt 2022.
Sakaq, në Emirate janë shtuar jashtëzakonisht flukset hyrëse të parave ruse, naftës dhe arit. Lidhjet në rritje me rivalët amerikanë dhe me ekonomitë në zgjerim si India janë të gjitha përgatitje për një botë që një ditë mund të mos dominohet më nga Shtetet e Bashkuara, siç raporton “New York Times”.
Për më tepër, një raport i nëntorit 2020 i lëshuar nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së për operacionet kundër terrorizmit në Afrikë zbuloi se Emiratet e Bashkuara Arabe dyshohej se ishin një burim i rëndësishëm financimi për grupin mercenar rus Wagner në Libi. Emiratet e Bashkuara Arabe e mohuan pretendimin.
“Drita jeshile” nga SHBA
Emiratet Arabe janë kthyer me kalimin e kohës në një qendër rajonale të fuqisë. Gjatë viteve të fundit, udhëheqësit e Emirateve kanë shfrytëzuar mundësitë e paraqitura nga fatkeqësitë e ndryshme, duke përfshirë pandeminë e koronavirusit dhe luftën në Ukrainë, për të “çimentuar” statusin e kombit të tyre si një sipërmarrës triumfues, ku multimilionerët britanikë përzihen me oligarkët rusë dhe manjatë indianë. Sa i përket konfliktit në Ukrainë.
Emiratet, së bashku me shumë vende të tjera, e kanë bërë të qartë se nuk do të detyrohen të mbajnë anë. Dhe zyrtarët e Emirateve argumentojnë se duhet ta mbajnë hapur dialogun me Rusinë për të vazhduar përpjekjet për paqe dhe ndërmjetësimin. Prandaj, ai ka filluar këto përpjekje, megjithëse është e vështirë të thuhet se sa sukses do të ketë ky operacion diplomatik.
Ndërkohë, sërish një burim diplomatik evropian siguron se "iniciativa e paqes tashmë është diskutuar me shumë vende evropiane dhe me Shtetet e Bashkuara". Presidenti amerikan Joe Biden, raporton L'Orient-Le Jour, "është i vetëdijshëm për nismën dhe e ka mirëpritur atë, duke thënë se është i gatshëm të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme që takimi të arrijë objektivat e tij".