Rusia thotë se Ukraina tentoi të sulmonte urën në Krime

Bota

Rusia thotë se Ukraina tentoi të sulmonte urën në Krime

Më: 12 gusht 2023 Në ora: 14:31
Ura e Krimes

Forcat e mbrojtjes ajrore të Rusisë kanë rrëzuar dy raketa ukrainase mbi urën që lidh Krimenë e aneksuar me Rusinë, tha një zyrtar më 12 gusht.

“Forcat e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar dy raketa të armikut mbi Ngushticën Kërç. Ura e Krimesë nuk është dëmtuar”, tha Sergei Aksyonov, guvernator i instaluar nga Rusia në Gadishullin e Krimesë.

Ai u bëri thirrje banorëve që të ruajnë qetësinë.

Disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale shfaqën tym duke dalë në afërsi të urës.

Në një deklaratë të ndarë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se Kievi ka tentuar që të sulmojë urën në Krime me raketa kundërajrore të llojit S-200.

Raketat janë detektuar dhe penguar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë, tha ministria, duke shtuar se nuk ka viktima e as dëme.

Më herët gjatë së shtunës, Rusia tha se ka rrëzuar 20 dronë ukrainas afër Gadishullit të Krimesë, zonë ku Kievi ka intensifikuar sulmet./REL

Katërmbëdhjetë dronë u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe gjashtë përmes pajisjeve luftarake elektronike, tha Ministria e Mbrojtjes.

Krimea, e aneksuar nga Rusia më 2014, ka qenë shënjestër e Kievit që kur Ukraina ka nisur kundërofensivën e saj javëve të fundit.

Kievi vazhdimisht ka thënë se planifikon të rimarrë kontrollin e Krimesë dhe po ashtu ka sulmuar urën në Krime, që është një prej projekteve kryesore të prezantuara nga presidenti rus, Vladimir Putin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat