Katër mijë ushtarë dhe policë kanë marrë pjesë në një operacion në burgun ku mbahet Fito, kreu i bandës më të fuqishme të Ekuadorit, të cilin kandidati i vrarë për president Villavicencio e kishte akuzuar se e kërcënonte.
Forcat e sigurisë bastisën burgun numër 8 të Guayaquil, ku Jose Adolfo Macias, ose Fito, kreu i bandës “Los Choneros”, është i burgosur që nga viti 2011, me automjete të blinduara.
Në një foto të publikuar nga autoritetet, Fito shfaqet me duar në kokë. Në një foto tjetër, ai shihet i shtrirë në tokë me të brendshme me një duzinë të burgosur të tjerë.
Emri i tij është në faqet e para të gazetave ekuadoriane pas vrasjes të mërkurën e kaluar të Fernando Villavicencio, 59 vjeç, një kandidat për president, i cili doli i dyti në sondazhet për zgjedhjet presidenciale të 20 gushtit.
Javën e kaluar, ai tha se kreu i burgosur i bandës, i cili po vuan një dënim 34-vjeçar për vrasje dhe trafik droge, e kishte kërcënuar se do ta vriste. Një ish-gazetar dhe deputet i parlamentit, Fernando Villavicencio kishte hetuar tregtinë e drogës në Ekuador.
Gjashtë kolumbianë janë arrestuar në lidhje me vrasjen, ndërsa një i katërt u vra nga të shtënat me armë nga truprojat e kandidatit. Bandat e drogës janë të forta në burgjet e Ekuadorit. Më shumë se 430 të burgosur janë vrarë në përleshjet mes bandave rivale brenda burgjeve që nga viti 2021.