Asnjë kandidat nuk ka marrë mbështetjen e mjaftueshme për t’u shpallur fitues, në zgjedhjet presidenciale të Ekuadorit, të mbajtura të dielën.
Rezultatet kanë treguar se kandidatja e së majtës, Luisa Gonzalez, e mbështetur nga ish-presidenti në arrati, Rafael Correa, ka të ngjarë të përballet në balotazh me Daniel Noboa-n, ish-deputet dhe djali i manjatit Alvaro Noboa-s.
Sipas rezultateve nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor majtistja Luisa González, kryeson me rreth 33% të mbështetjes, ndërsa ish-ligjvënësi Daniel Noboa doli i dyti me rreth 24%. Luisa González duket se do të kalojë në balotazhin e 15 tetorit, sipas rezultateve të para të lëshuara nga autoritetet zgjedhore. González ka thënë se ish-presidenti Rafael Correa do të jetë këshilltar i saj, nëse ajo i fiton zgjedhjet.
Correa mbetet një forcë kryesore në Ekuador, pavarësisht se u shpall fajtor për korrupsion në vitin 2020 dhe u dënua në mungesë me tetë vjet burg.
Një nga kritikët më të zëshëm të Correas ishte Fernando Villavicencio, gazetari i kthyer në kandidat për president, i vrarë më 9 gusht në Kuito.
Ekuadorianët votuan mes dhunës së paprecedentë që i mori jetën Villavicencios në fund të një tubimi elektoral dy javë para zgjedhjeve.