Mediat ukrainase: Sulmet me dronë në Rusi, vepër e individëve dhe shërbimeve të zbulimit ukrainas

Bota

Mediat ukrainase: Sulmet me dronë në Rusi, vepër e individëve dhe shërbimeve të zbulimit ukrainas

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Individë ukrainas, në bashkëpunim me shërbimet ushtarake të zbulimit të Ukrainës, qëndrojnë prapa sulmeve të fundit me dronë, që goditën një avion bombardues në njërën nga bazat ajrore në thellësi të Rusisë, sipas njoftimeve të mediave ukrainase të martën.

Sulmet ndaj bazave ajrore ruse shkatërruan dy bombardues rus dhe dëmtuan dy avionë të tjerë, të shtunën dhe të hënën, sipas gazetës “Ukrainska Pravda”. Mediat në Ukrainë ua atribuuan dy sulmet sabotuesve: sulmin e të shtunës në bazën ajrore “Soltsy” në rajonin Novgorod, në veriperëndim të Rusisë, rreth 700 kilometra në veri të kufirit ukrainas, dhe sulmin e së hënës ndaj bazës ajrore “Shaikovka”, në pjesën jugperëndimore të rajonit Kaluga, rreth 300 kilometra në verilindje të kufirit me Ukrainën.

Agjencia ‘The Associated Press’ raportoi se një verifikim i pavarur i këtyre pohimeve ishte i pamundur.

Zëdhënësi i shërbimit ushtarak të zbulimit ukrains, zoti Andriy Yusov i tha medias ukrainase, “Liga.net”, të hënën se të paktën një aeroplan ushtarak rus ishte dëmtuar në sulmin ndaj bazës ajrore “Shaikovka”. Ai tha se sulmi ishte kryer nga njerëz që kanë punuar në koordinim me shërbimin ushtarak të zbulimit të Ukrainës, por nuk dha më shumë detaje.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmi ndaj bazës “Soltsy” e dëmtoi njërin avion, ndërkohë që nuk e komentoi sulmin e raportuar ndaj bazës ajrore “Shaikovka”, por këtë gjë e bënë mediat ruse.

Pamjet satelitore, të analizuara nga agjencia e lajmeve The Associated Press, treguan 10 bombardues Tupolev Tu-22M, të parkuar në bazën ajrore “Soltsly” më 16 gusht. Të hënën, dy ditë pas sulmit, të gjithë avionët bombadues ishin larguar nga baza ajrore. Një shenjë e madhe e zezë shihej në njërin nga vendet ku kishin qenë të parkuar avionët. Fotografitë, që supozohet se janë realizuar në bazën ajrore dhe ishin botuar nga mediat ruse dhe ukrainase, treguan avionin rus të përfshirë nga flakët pas sulmit.

Ukraina është përpjekur që luftën ta çojë brenda territorit të Rusisë që nga fillimi i këtij viti. Forcat ukrainase kanë sulmuar mjetet ushtarake të Moskës përtej vijave të fronit në pjesën lindore dhe jugore të Ukrainës dhe njëkohësisht kanë nisur dronë drejt Moskës.

Kievi po përpiqet që të mbajë Kremlinin nën trysni në disa fronte, përfshirë kundër-ofanzivën në disa pika përgjatë vijës 1,500 kilometërshe të frontit, si dhe në aspektin diplomatik, duke siguruar premtime nga aleatët perëndimorë për më shumë armatim, përfshirë avionë ushtarak F-16.

Disa nga sulmet ukrainase ndaj bazave ajrore ruse në të kaluarën u bënë me dronë sovjetik, me një rreze deri në 1,000 kilometra. Por, sulmet e ditëve të fundit duket se janë kryer përmes dronëve të vegjël dhe të thjeshtë, që konfirmojnë mundësinë se janë nisur drejt caqeve nga sabotuesit.

Gjithashtu, një rus i pensionuar, që kishte qenë duke shëtitur me një pyll rreth 600 kilometra nga kufiri me Ukrainën të hënën, kishte hasur në mbetjet e dronit, të ngjyrosur me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë - ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Fotografitë, që qarkulluan në rrjete sociale ruse të martën, treguan dronin me mbishkrimin “lavdi Ukrainës” në krahun e thyer dhe “lavdi heronjëve” të shkruar në krahun tjetër, sipas kanalit Baza, në rrjetet sociale ruse.

Ndërkohë, një valë e re sulmesh me dronë drejt Moskës, vazhduan të martën në mëngjes, por ishin parandaluar nga sistemet e mbrojtjes ajrore ruse, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Megjithatë, pjesë nga droni i shkatërruar kishin thyer dritaret e një ndërtese apartmanesh dhe dëmtuar disa makina në një lagje periferike, në pjesën perëndimore të Moskës.

Nuk u raportua për të lënduar nga sulmet, për të cilat Rusia fajësoi Kievin. Këto sulme në territorin rus, nuk kanë shkaktuar viktima, por vetëm pak dëme materiale.

Fluturimet nga disa aeroporte të Moskës u suspenduan përkohësisht të martën si masë sigurie ndaj sulmeve, sipas autoriteteve.

Ndërkohë, Presidenti rus, Vladimir Putin – ndaj të cilit ekziston një urdhërarrest ndërkombëtar i lëshuar nga Gjykata Kriminale Ndërkombëtare - pritet t’iu drejtohet përmes lidhjes me video udhëheqësve të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës Jugore, në një takim në Johanesburg këtë javë./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat