NATO “merr në dorë” luftën në Ukrainë, ja si ‘peshat e rënda’ po luajnë fijet në prapaskenë, Putin fut spiunët në lojë

Bota

NATO “merr në dorë” luftën në Ukrainë, ja si ‘peshat e rënda’ po luajnë fijet në prapaskenë, Putin fut spiunët në lojë

Më: 28 gusht 2023 Në ora: 13:05
Jens Stoltenberg dhe Zelensky

Teksa ka ende pikëpyetje për pasojat e vdekjes së shefit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, i cili u rrëzua me zëvendësin e tij dhe 8 persona të tjerë në Rusi gjatë një aksidenti ajror, luftimet vazhdojnë në Ukrainë.

Shërbimet e inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se ekziston një "mundësi realiste" që forcat ruse të rrisin "intensitetin" e ofensivës së tyre në verilindje të Ukrainës gjatë dy muajve të ardhshëm, pasi të kenë humbur terren më në jug.

Sipas ekspertëve britanikë, sulmet ruse janë të mundshme në aksin midis lokaliteteve të Kupyansk, në rajonin e Kharkiv, dhe atij të Lyman, në Donetsk, ndoshta me synimin për të avancuar në drejtim të lumit Oskil dhe për të mbrojtur territoret tashmë të pushtuara.

Sipas analistëve ushtarakë, tashmë ka pasur "sulme në shkallë të vogël në veri-lindje, në sektorin Kupyansk-Lyman" me të cilat forcat ruse kanë bërë "progres të kufizuar", sipas vlerësimit nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Të gjitha në një kohë kur kundërofensiva e nisur nga trupat ukrainase "ushtroi presion mbi forcat ruse në Bakhmut dhe në jug të Ukrainës". Në këtë zonë të vendit, "Ukraina vazhdon të fitojë terren gradualisht".

Pra, sipas Ukrainës dhe Perëndimit, kundërofensiva ukrainase "po shkon sipas planeve të diskutuara paraprakisht me partnerët". Megjithatë, një takim sekret duket se ka ndryshuar gjithçka.

Takimi sekret

Sipas “The Guardian”, dymbëdhjetë ditë më parë një delegacion i NATO-s takoi disa liderë ushtarakë ukrainas në një vend të fshehtë në kufirin me Poloninë për të diskutuar pikërisht çështjet kritike të ofensivës ukrainase.

Gazeta britanike flet për një takim pesë-orësh mes përfaqësuesve të NATO-s, ku thuhet se ka marrë pjesë gjenerali amerikan Christopher Cavoli, komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë dhe admirali britanik Tony Radakin, shefi i shtabit të ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Qëllimi i samitit thuhet se ishte t'i jepte një shtysë të re kundërsulmimit të Kievit. Takimi, tepër sekret, thuhet se ka zgjatur rreth pesë orë dhe dyshohet se u mbajt në prani të shefit të ushtrisë ukrainase, gjeneralit Valerii Zaluzhny dhe të gjithë ekipit komandues, të cilin gazeta e quan "këshill lufte".

Burimet britanike hezitojnë të thonë shumë për rezultatin e takimit në kufi. Por indikacionet nga perëndimi janë se strategjia ka ndryshuar si rezultat i diskutimeve.

Kundërofensiva

"Unë mendoj se ju mund të shihni se ata janë duke u fokusuar në frontin e Zaporizhzhia," tha një burim, mes raporteve për sulme të reja ukrainase që synonin qytetin e Tokmak, një hap fillestar drejt arritjes së Detit Azov.

Në jug, forcat e Kievit po depërtojnë mbrojtjen ruse dhe në rajonin jugor të Khersonit po kapërcejnë blloqet e vendosura nga Moska. Përparim është bërë edhe në rajonin perëndimor të Zaporizhzhias, ku komandantët ushtarakë rusë kanë dhënë alarmin për shkak të mungesës së përforcimeve.

Edhe Instituti Amerikan për Studimin e Luftës konfirmon humbjet e rënda të pushtuesve ditët e fundit. Aksione intensive ka patur edhe në gadishullin e Krimesë.

“Forcat ukrainase mund të godasin kudo dhe në çdo kohë në Krime”, tha shefi i inteligjencës ushtarake të Kievit Kyrylo Budanov.

Hakmarrja e Rusisë

Sakaq, inteligjenca britanike, nga ana tjetër, ka ngritur alarmin, duke paralajmëruar se Rusia nuk do të rrijë duarkryq dhe do të përpiqet të rifillojë ofensivën në veri-lindje të vendit.

Objektivi ka të ngjarë të jetë avancimi drejt lumit Oskil dhe krijimi i një zone tampon rreth rajonit të Luhansk.

Po ashtu, dokumentet amerikane që janë deklasifikuar së fundmi zbulojnë se Rusia po ndjek një program "sistematik" të shpërndarjes së propagandës pro-Kremlinit përmes "objektivave civile" në Shtetet e Bashkuara dhe në Perëndim.

Në veçanti, Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse ka punuar për disa kohë në përpjekje për të ndikuar politikën dhe opinionin publik duke dërguar civilë rusë të pavarur, për të ndërtuar marrëdhënie me figura të shquara, në mënyrë që të përhapet një narrativë pro-ruse në media.

Dhe me sa duket strategjia të paktën pjesërisht ka zënë rrënjë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat