Linja ajrore “Air Canada” ka kërkuar falje pasi përzuri dy pasagjerë nga fluturimi sepse refuzuan të uleshin në ulëset e njollosura me të vjella.
Susan Benson, që ishte në shërbimin Las Vegas-Montreal, ka thënë se piloti i paralajmëroi pasagjerët se do t’i fuste në listën e ndalimit të fluturimeve nëse vazhdonin të ankoheshin.
Ajo shtoi se stafi kishte tentuar ta hiqte “pak erën e keqe” me parfum, raportoi BBC.
“Air Canada” ka theksuar se pasagjerët “qartë nuk morën standardin e kujdesit për të cilin kanë të drejtë”.
Piloti kishte dalë nga kabina e tij dhe u kishte thënë se mund të dilnin nga aeroplani dhe ta organizonin vetë fluturimin, ose do të përcilleshin nga sigurimi dhe të futeshin në listën e ndalimit.
Ata u përcollën më pas nga sigurimi.