SHBA-ja i ripozicionon trupat e saj në Niger

Bota

SHBA-ja i ripozicionon trupat e saj në Niger

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 22:36
Baza amerikane Agadez në Niger.

Shtetet e Bashkuara janë duke i larguar trupat e veta prej bazës ushtarake në kryeqytetin e Nigerit, Naimej – ku zyrtarët e kanë marrë pushtetin përmes një puçi në korrik – në një bazë tjetër në Agedez, ka thënë Pentagoni të enjten.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes “është duke e ripozicionuar personelin dhe disa prej aseteve nga baza ajrore 101 në Naimej në bazën ajrore 201 në Agadez”, ka thënë zëvendës-sekretarja për media e Pentagonit, Sabrina Singh.

“Nuk ekziston kërcënim për personelin amerikan apo dhunë në terren”, ka thënë ajo, duke e përshkruar vendimin si “masë paraprake”.

Singh ka thënë se “një pjesë e personelit që nuk ka qenë e domosdoshme” është larguar nga shteti disa javë më parë, raporton REL.

Presidenti i Nigerit Mohamed Bazoum, është rrëzuar nga pushteti më 26 korrik nga disa pjesëtarë të gardës së tij dhe është arrestuar qysh atëherë bashkë me familjen e tij.

Pavarësisht se është një prej vendeve më të varfra në botë, Nigeri, është prodhuesi i shtatë më i madh në botë i uraniumit, material kyç për aktivizim të centraleve bërthamore dhe trajtim të kancerit.

Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Italia, kanë trupa ushtarake të stacionuara në këtë shtet, në kuadër të luftës kundër islamistëve në rajonin Sahel.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat